Ganiu: “Happy Shelter” dhe Komuna e Çairit kanë arritur sukses të lartë me grumbullimin e qenve endacakë në Çair

Fiks një muaj pas nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit mes Komunës së Çairit dhe Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve “Happy Shelter” Shkup, në Çair dukshëm është ulur numri i qenve endacakë. Ndërsa me nënshkrimin e këtij Memorandumi dhe fillimin e aksioneve të menjëhershme në terren, Komuna e Çairit u bë e para në vend që sipas një modeli të këtillë po zgjedh problematikën me qentë endacakë.

Sot kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu vizitoi Shoqatën për mbrojtjen e kafshëve “Happy Shelter” Shkup dhe gjatë takimit me kryetarin e saj z. Kemal Neziri u njoftua rreth aksioneve të shumta që janë ndërmarrë nga shoqata në tërë territorin e Çairit. Me këtë rast u informua se deri më tani janë grumbulluar afër 23 për qind e qenve endacakë nga shumë lokacione të Komunës së Çairit, respektivisht nga gjithandej nga vijnë lajmërime të qytetarëve për prezencë të qenve endacakë.

Kreu i Çairit tha se ky zotim i yni për zero qenë endacakë në Çair u bë edhe realizim i yni dhe sipas parashikimeve deri në fund të këtij viti në këtë komunë nuk do të ketë asnjë qen endacakë. Ndërsa sqaroi se edhe gjatë takimeve të që ka patur me banorët e lagjeve ata e kanë përshëndetur aksionin Zero qen endacakë në Çair.

“Grumbullimi i qenve endacakë nëpër Komunën e Çairit nga ekipet e Shoqatës Happy Shelter po bëhet me një dinamike shumë të shpejt. Fiks para një muaji e nënshkruam memorandumin dhe sot kemi afër 23 % më pak qenë endacakë në komunën tonë. Kjo është një dinamikë shumë pozitive ndërsa sipas parashikimeve presim që deri në fund të vitit në Komunë tonë mos të ketë asnjë qen endacak”, ka thënë Ganiu.

Ai njëkohësisht ka falënderuar përfaqësuesit e Happy Shelter që me aq kujdes dhe përkushtim po realizojnë aksionet e grumbullimit të qenve, ndërsa qytetarët i ka falënderuar pa masë që po bashkëpunojnë në mënyrë të mrekullueshme duke lajmëruar rreth pranisë së qenve endacakë.

Komuna e Çairit dhe Shoqata Happy Shelter gjithashtu janë duke e shqyrtuar edhe mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve të qendrës për grumbullim të qenve dhe me këtë edhe të rritjes së dinamikës së aksionit të grumbullimit.

Ndryshe, ashtu siç ishte paraparë edhe me Memorandum qentë endacak po grumbullohen, evidentohen dhe po vaksinohen nga ekspertët e shoqatës ‘Happy Shelter’. Çka më tepër, nga përvojat e deri më tanishme, qenët e tubuar kanë kushtet e nevojshme për të qëndruar në këtë qendër dhe me vonë të adoptohen nga persona, kryesisht jashtë vendit.

Ganiu edhe njëherë apeloi fuqishëm që qytetarët të lajmërojnë organet e komunës për prezencën e qenve endacak edhe atë në adresën elektronike të komunës ose duke dërguar mesazh direkt në rrjetet sociale. “Ne jemi në shërbim të plotë ndaj qytetarëve të Çairit”, potencoi Ganiu.