Ganiu: Faruk Zeqiri dha kontribut të veçantë për arsimin!

Për të nderuar jetën dhe veprën e drejtorit të ndjerë të shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri, në këtë shkollë u mbajt mbledhje përkujtimore. Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu tha se Faruku gjithnjë me pozitivitet i pranonte thirrjet, kërkesat tona dhe çdo obligim që e merrte para vetes me përpikshmëri e realizonte. Jo rastësisht, kjo shkollë ka menaxhim të mirë, staf dhe të arritura të mëdha.”

Këto ditë të gjithë jemi me zemër të thyer, sepse humbëm një mik të sinqertë, një punëtorë të zellshëm, një njeri që e deshi aq shumë zhvillimin e arsimit shqip, Faruk Zeqirin, drejtorin e SHM “Zef Lush Marku” ku sot u mbajt edhe mbledhja komemorative në nderë të veprimtarisë dhe jetës së tij.Kur e pranova lajmin se Faruku kishte ndërruar jetë as që besova, sepse më vinte para syve ai Faruk që ishte plotë jetë, ai Faruk që skishte moment ku ta shihnim pa buzëqeshje, ai Faruk që secilit nxënës e secilit qytetari, i dilte në ndihmë dhe e përkrahte pa masë. Edhe sot mua vetëm një Faruk më del para syve, ai me plotë buzëqeshje dhe mirësi në fytyrë e në shpirt.
E nderuara familje të mbeteni me plot krenari sepse gjurmët e Farukut, posaçërisht në zhvillimin e arsimit shqip do të jenë të pashlyeshme dhe ai do të mbetet një shembull i përkryer për fëmijët e tij, për nipërit e mbesat e tij, për fëmijët e nipërit e të gjithë neve, por edhe për breza të tërë më pas.
Faruk o mik i imi i zemrës, prehu në paqe, sepse amanetin tënd se nxënësi dhe arsimimi duhen mbi të gjitha, do ta përcjellim me dinjitet – thotë Ganiu.