G7 pritet të dhurojë 1 miliard doza të vaksinave kundër virusit për vendet e varfra

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se vendet e G7 planifikojnë që deri në fund të vitit 2022 të dhurojnë gjithsej 1 miliard doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e varfra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Zyra e kryeministrit britanik thuhet: “Si rezultat i suksesit të programit të vaksinimit në Britani, tani jemi në gjendje të shpërndajmë dozat tona të tepërta me ata që kanë nevojë për të. Duke bërë këtë, ne do të bëjmë një hap të madh drejt mposhtjes së kësaj pandemie”.

Në deklaratë thuhet se Johnson pret nga udhëheqësit e G7 që një total prej 1 miliard dozash të vaksinës kundër COVID-19 të dhurohen për vendet e varfra.

Bëhet e ditur se Mbretëria e Bashkuar do të dhurojë 100 milionë doza të vaksinës për vendet e varfra.

– Udhëheqësit e vendeve të G7 do të takohen për herë të parë që nga fillimi i pandemisë

Udhëheqësit e vendeve të G7 do të takohen për herë të parë që nga fillimi i pandemisë në samitin i cili do të fillojë sot dhe do të zgjasë deri më 13 qershor në Cornwall të Britanisë.

G7, e themeluar në vitin 1975 mblidhet çdo vit nën udhëheqjen e një vendi për të vlerësuar axhendën ekonomike, për të krijuar politika të përbashkëta dhe për të rritur bashkëpunimin.

Në samit pritet të diskutohen temat e rëndësishme të tilla si pandemia, rreziqet gjeopolitike globale dhe ndryshimet klimatike.

Samiti do të drejtohet nga kryeministri britanik, Johnson. Në takim do të marrin pjesë edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri italian, Mario Draghi, kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Këtë vit në samit gjithashtu ishin të ftuar si udhëheqës të vendeve mysafire kryeministri australian, Scott Morrison, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe kryeministri indian, Narendra Modi.