Grupi prej njëzet vendeve më të fuqishme ekonomike ka miratuar një deklaratë konsensusi për çështjet me të cilat përballet blloku, njoftoi kryeministri indian, Narendra Modi gjatë samitit në New Delhi duke sinjalizuar se negociatorët kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e thella rreth luftës në Ukrainë.
Ai nuk dha detaje mbi tekstin e kompromisit, raporton aljazeera.
“Bazuar në punën e palodhur të të gjitha ekipeve, ne kemi arritur një konsensus mbi Deklaratën e Samitit të Liderëve të G20. Unë njoftoj miratimin e kësaj deklarate”, tha Modi para udhëheqësve të G20 në Indi.
Më herët, Modi inauguroi takimin dy-ditor duke u kërkuar anëtarëve t’i japin fund “deficitit të besimit global” dhe njoftoi se blloku ka pranuar si anëtar të përhershëm “Bashkimin Afrikan”.
“Sot, si kryesuese e G20, India po i bën thirrje të gjithë botës që së pari ta kthejë këtë deficit të besimit global në besim”, tha ai. “Është koha që ne të gjithë të ecim përpara së bashku”.




