Fytyra të syrgjinosura

Orhan Ibrahimi

Prej një studioje televizive në tjetrën, të njëjtat fytyra, pa asnjë rrudhë në ballë, me lëkurë pa gjak, flokë të lyera me levante, disa me mjekra të pispillosura, e disa tjerë me syze sepse sytë u janë plakur nga “leximi”.
Pamjet e tyre mund të jenë të lloj-llojshme, por ajo që nxjerrin nga goja, mentaliteti dhe e kaluara e pemës familjare burojnë nga ato çerdhe që së paku dy shekuj i kanë shërbyer interesave sllave.

Këta janë “politikanë”, “liderë partie”, “analistë”, “juristë”, “gazetarë”.., të cilët, duke shitur interesat kombëtare, duke e shtrembëruar të vërtetën dhe duke futur duart në xhepat ashtu të zbrazura të shqiptarëve për mbi dy dekada, përfunduan me nga 1 milion e deri në gjysmë miliardi dollarë pasuri të tundshme dhe të patundshme.

Pse more, kaq keq e rëndë e nënçmoni dhe e ofendoni intelektin e shqiptarit?

Edhe vetë epiteti “pseudo” nuk ndihet mirë, edhe atij ia lëndoni krenarinë!

Për çdo muaj gjejnë tema, i ngrenë si “kauza” dhe më pas i lënë rrugëve, kurrë të zgjidhura.
Kurse muajt e fundit këta bastardë krrokasin në kor: “gjuha shqipe, gjuha shqipe”; ka qenë zyrtare, por tani e shitën; jo, po në Kushtetutë shqipja është zyrtare; a jo, jo, shqipja nuk përmendet aty, aludohet te 20%-shi i famshëm; ama s’ka dert, me ligj e kemi rregulluar; e përnjëmend, edhe po të jetë ligji në rregull, ky “debili” i Gjykatës Kushtetuese do ta shfuqizojë!

Aq e lehtë dhe aq e thjeshtë për t’ua shpjeguar shqiptarëve se si një gjuhë i merr atributet e gjuhës shtetërore është të merret si shembull neni 5 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

1.Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.

Mos harroni se ju njohim, mund të gënjeni e mashtroni, të vidhni e manipuloni, të na poshtëroni e tradhtoni, por jo pafundësisht.

Si të gjithë kombet evropiane që ia kanë dalë të jenë zot të vetes së tyre, gradualisht edhe për ne shqiptarët po vjen dita..