‘Fusnota njëri nga kompromiset më të dhimbshme, kuislinge të Hashim Thaçit’ – Opozita ta ‘shohë’ veten

Po bëhet një dekadë që kur u nënshkrua marrëveshja për paraqitjen e Kosovës në marrëveshje me fusnotë, në Bruksel nga qeveria Thaçi, por që nga atëherë kritika ka evoluar në mënyrë interesante.

10 vjet më parë, në shkurt të vitit 2012 ishte Vetëvendosje që e kundërshtone me protesta marrëveshjen për fusnotën, ndërsa tani akterët e asaj kohe po e akuzojnë Qeverinë Kurti, pse po e respekton atë.

Të martën që kaloi u mbajt takimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku ishte detyruar kryeministri Albin Kurti të paraqitej me fusnotë.

Për shkak se Kryeministri e pranoi paraqitjen me fusnotë shumë figura nga opozita në Kosovë reaguan me akuza nga më të ndryshmet përfshirë atë për tradhti kombëtare.

Marrëveshja për fusnotën me yll

Albin Kurti me Vetëvendosjen kanë qenë kategorik që Kosova ta refuzonte fusnotën, si kompromis i bërë nga qeveria Thaçi 1, në mënyrë që vendit t’i lejohej përfaqësimi me emrin “Kosovo” me yll. Meritat për fusnotën i kanë mbetur Edita Tahirit, ish-udhëheqëse e Kosovës për bisedime në Bruksel. Ajo thoshte se ‘fusnota’ do të shkrihej si fluskë bore.

Fusnota ishte arritur pas tri ditë bisedimesh në Bruksel me 24 shkurt 2012, të udhëhequra nga Përfaqësuesja e Lartë Katerin Eshton dhe zëvendësi i saj Shtefan Fule, ndërsa Kosova përfaqësohej nga Edita Tahiri.

Deri atëherë marrëveshjet ishin nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës.

“Deri më tani marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Kosovo* do të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe në fusnotën që do të përdoret në asteriks do të shkruhet: Ky identifikim është pa paragjykime ndaj pozicioneve rreth statusit dhe është në pajtim me rezolutën 1244 të KSKB dhe Opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhej në njoftim e BE-së.

Kjo marrëveshje u përcoll me protesta të qeta nga Vetëvendosje, tri ditë pas marrëveshjes, me 27 shkurt 2012.

Para protestuesve kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit, pat deklaruar se qeveria Thaçi po na ndan nga bota. “Kjo qeveri nuk po na bën si e gjithë bota, por kjo qeveri po na ndan nga bota dhe po na bën të ndryshëm nga e gjithë bota”, deklaronte Kurti.

Pas akuzave të opozitës në adresë të Kurtit, një nga kundërreagimet ndaj saj u bë nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Këta që sot shtiren kinse janë kundrejt fusnotës, asokohe kur fusnota u instalua nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kundër asaj marrëveshje (por as edhe të tjerave) përkundrazi iu bashkuan qeverisë së asaj kohe kinse fusnota “do të shkrihej porsi fjolla e borës”, prandaj këta askush nuk i merr seriozisht”, deklaroi Haxhiu.

Haziri: Kur ne thoshim se është tradhti kombëtare, ata thonin është marrëveshje e mirë

Image

Fitim Haziri

FOTO GALERI

Lidhur me kritikat në adresë të Kurtit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Haziri, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se fusnotën na e lanë të tjerët derisa Vetëvendosje ishte kundër kësaj fusnote.

Ai thotë se kritikat e opozitës në drejtim të Kurtit janë të pasinqerta.

“E para e punës është që fusnotën nuk e sollëm ne, atë na e lanë të tjerët. Madje, Lëvizja VETËVENDOSJE, qysh në atë kohë ishte pothuajse e vetme në kundërshtim të kësaj fusnote, duke thënë se nuk është fluskë bore, siç na paraqitej. Më vonë e pranuan edhe të tjerët se kjo marrëveshje ishte e dëmshme. Kritika e opozitës është shumë e pasinqertë. Ata e sollën fusnotën. Janë pikërisht ata që e mbronin madje këtë fusnotë, kur ne thoshim se është tradhti kombëtare, ata thonin është marrëveshje e mirë”, ka thënë deputeti Haziri.

Sipas tij, fajtorët janë ata që e sollën fusnotën dhe ata po duan që gabimin e tyre ta fshehin duke e akuzuar kryeministrin Kurti.

Megjithatë, Haziri thotë që Kosova është e obliguar të paraqitet me fusnotë, për shkak të marrëveshjes që e kanë arritur me Serbinë.

“Pikërisht në këtë pyetje duhet të përgjigjen ata që e sollën fusnotën. Ata janë fajtorët për një gjë të tillë. Më e rënda është që gabimin e tyre duan që ta fshehin duke e akuzuar kryeministrin Kurti, i cili qysh në fillim u pati treguar për dëmet që janë duke i bërë me pranimin e fusnotës.

Kosova është e obliguar që të paraqitet me fusnotë, për shkak të marrëveshjes që e kanë arritur me Serbinë, për të ndodhur një gjë e tillë, është e pashmangshme, derisa ne e përfaqësojmë shtetin e Kosovës, i cili kur udhëhiqej nga këta opozitarët e sotëm, në emër të shtetit e nënshkruan atë marrëveshje”, përfundon deputeti Haziri për “Bota sot”.

Qarri: Marrëveshjet e miratuara nga Kuvendi mund të anulohen vetëm nga vet Kuvendi

Image

Gani Qarri

FOTO GALERI

Gani Qarri, sipas vështrimit të tij thotë se autor i kësaj fatkeqësie është Hashim Thaçi, Arsim Bajrami që në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës hidhnin kategorikisht poshtë zërat se fusnota ka cenuar shtetësinë dhe sovraniteti i Kosovës.

“Fusnota ishte goditja më e rëndë që i është bërë nga kuislingu Hashim Thaçi, sovranitetit dhe shtetësisë së vendit tonë, pikërisht në 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, përkundër kundërshtimeve të ashpra nga VV-ja, dhe me gjithë faktin se futja e fusnotës e dobësonte shumë rëndë Kosovën, vetëm pse autor i kësaj fatkeqësie ndaj shtetit tonë, ishte krye kuislingu Hashim Thaçi, Arsim Bajrami në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që atëherë ishte në pushtet me Thaçin kryeminstër, hidhte kategorikisht poshtë zërat se fusnota ka cenuar shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Për më tepër, Thaçi përveçse pati marr publikisht mbi vete autorësinë e vendosjes së funotës, ai me këtë akt makabër antishtetëror, pati ringjallur sërish edhe Rezolutën 1244, e cila megjithëse formalisht ishte në fuqi, nuk prodhonte veprime në praktikë”, ka thënë ai.

Madje sipas tij, reagimi i vonshëm i opozitës për fusnotën, dëshmon se edhe pas gari një dekade të kaluar nga vendosja e fusnotës, ajo sërish është në favor të fusnotës.

Ai shton se ishin vetëm deputetët e VV-së, që e kundërshtonin një gjë të tillë, madje ishin ata të cilët deklaronin në mënyrën më të zëshme, se zëvendësimi i shtetësisë së Kosovës me statusin e fusnotës, do ta çojë vendin në konflikt të ngrirë me Serbinë dhe do të kërkohen negociata të pafund.

“Ndaj reagimi kaq i vonuar dhe vetëm tani, i opozitës aktuale, e cila atëbotë vet e solli fusnotën dhe e gjymtoi pavarësinë e Kosovës, dëshmon se edhe pas gati një dekade të kaluar nga vendosja e fusnotës, ajo sërish është në favor të fusnotës, por proteston vetëm kundër Albin Kurtit, e jo edhe kundër fusnotës, pasi që, jo vetëm kur ishte në pushtet por as pas rënies në opozitë, ajo kurrë nuk ka kundërshtuar fusnotën as nuk kanë protestuar apo kërkuar shfuqizimin e saj. Edhe atëherë ishin deputetët e Vetëvendosje, ata të cilët deklaronin në mënyrën më të zëshme, se zëvendësimi i shtetësisë së Kosovës me statusin e fusnotës, do ta çojë vendin në konflikt të ngrirë me Serbinë dhe do të kërkohen negociata të pafund, për ta ndryshuar gjendjen në të cilën Thaçi e solli Kosovën me vendosjen kokë më vete, të fusnotës, siç edhe tani po ndodhë praktikisht”, ka thënë analisti.

Qarri thotë se, çdo marrëveshje e miratuar në Kuvend mund të anulohet vetëm nga vet Kuvendi, kurse këtë të keqe të madhe, bashkë me asociacionin kundër kushtetues një etnik serb, që i la “kopil” në derë shtetit të Kosovës kuislingu Hashim Thaçi me shokë, mund ta zhbëj vetëm Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve.

Nëse kjo nuk shfuqizohet nga parlamenti, Kurti është i detyruar të paraqitet me fusnotë.

Ai përmend edhe një fakt, që fusnota që ka lënë Hashim Thaçi, konsiston në Rezolutën 1244, duke kthyer Kosovën në vend me status të papërcaktuar.

“Kështu që përkundër mos pajtueshmërisë së kryeministrit Kurti, për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë, përderisa kjo damkë antishtetërore që Kosova e ka marrë si njërën prej “goditjeve” më kobzeza nga kuislingu Hashim Thaçi, me të cilën ai e ktheu shtetin e pavarur të Kosovës në vend me status neutral dhe krahinë të Serbisë, nuk shfuqizohet nga parlamenti, cilido kryeminstër është i detyruar që edhe në mbledhjen e Stabilizim Asociimit dhe çdo takim tjetër rajonal, ta përfaqësoj vendin me fusnotë. Ajo që është edhe më keq, është fakti se fusnota e Thaçit, konsiston në Rezolutën 1244, gjë që, sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë, nuk do duhej të guxonte as të ndodhte, por që vet kuislingu Thaçi e vendosi atë mbi statusin e shtetit, duke kthyer Kosovën në vend me status të papërcaktuar, ashtu siç kërkonte Vuçiqi dhe Serbia”, deklaron Qarri.

Në fund, analisti thekson se vendosja e fusnotës ishte jo vetëm një prapakthim i madh politik, por edhe njëri nga kompromiset më të dhimbshme që kuislingu Hashim Thaçi, edhe para fillimit të bisedimeve i ka bërë Serbisë, në dëmë të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, duke kthyer Kosovën nga një shtet i pavarur, në një vend me status neutral dhe zbehur.

“Kështu që edhe vet bisedimet në mënyrën si u nisën dhe vazhduan për dhjetë vite me radhë me Serbinë, i konvenonin vetëm kuislingut Thaçi, ngase me mbajtjen e tyre në këtë formë përulëse dhe nënçmuese, shpresonte se do ta shpëtonte lëkurën e vet, por çuditërisht partitë e tanishme opozitare vetëm heshtnin dhe nuk bënin si tani, kinse po reagojnë kundër përfaqësimit të Kosovës me fusnotën e shefit të tyre. Ndërsa, vendosja e fusnotës ishte jo vetëm një prapakthim i madh politik, por edhe njëri nga kompromiset më të dhimbshme që kuislingu Hashim Thaçi, edhe para fillimit të bisedimeve i ka bërë Serbisë, në dëm të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, duke kthyer Kosovën nga një shtet i pavarur, në një vend me status neutral dhe zbehur të gjitha të arriturat e avancimit të statusit të Republikës së Kosovës, një gabim tepër i rëndë ky, i cili edhe sot vazhdon t’i kushtojë shumë vendit tonë në demonstrimin e sovranitetit dhe të subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, në takimet rajonale dhe më gjerë. Ndaj ashtu si asociacioni një etnik serb, edhe fusnota e vendosur nga Thaçi dhe jo nga Qeveria aktuale, me të drejtë, konsiderohej dikur nga vet kryeministri aktual z. Albin Kurti, si tradhti e lartë kombëtare dhe shkaku i vendimeve të atëhershme të opozitës aktuale edhe sot, z. Kurti është i obliguar të paraqitet me fusnotën e vendosur nga Hashim Thaçi & Co, përderisa Kosova të mos arrij ta bëjë shfuqizimin e saj, akt realizimi i të cilit, para përfundimit të bisedimeve me Serbinë okupatore, duket të jetë i pamundur”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.