Fushata presidenciale në SHBA, Joe Biden nuk do të mbajë tubime

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden doli me një deklaratë për shtyp ku njoftoi se nuk do të mbajë takime elektorale gjatë fushatës presidenciale për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kjo është një fushatë elektorale e pazakontë për historinë moderne”, u shpreh Biden gjatë deklaratës së tij në Delaware.

Rivali i tij, presidenti Trump organizoi një tubim në Tulsa të Oklahomës disa ditë më parë dhe pjesëmarrja e mbështetësve ishte shumë e ulët dhe për këtë arsye dhe organizatorët e fushatës së tij nuk kanë folur për data të tjera takimesh të ngjashme.

E ndërsa zgjedhjet e nëntorit afrohen, sondazhet nxjerrin në avantazh të theksuar Joe Biden ndaj presidentit aktual, Donald Trump.

Mes të tjerash, Biden tha përpara reporterëve se do të ndjekë urdhrat e doktorëve për të mbrojtur veten dhe mbështetësit e tij dhe për këtë arsye nuk do të ketë tubime.