Furnizimi i Shkupit me ujë, a ka alternativë për burimin Rashçe?

Gjendja në burimin Rashçe për momentin është e qëndrueshme, por po shqyrtohen tre lokacione të reja që mund të jenë një alternativë për furnizimin e Shkupit me ujë. Në ndërkohë Qeveria në bashkëpunim me Komunën e Jegunovcit dhe Qytetin e Shkupit po punon për ta zgjidhur problemin me deponinë e egër që ndodhet mbi vetë burimin, transmeton Dojçe Vele (DW).

“Kemi filluar shqyrtimin e tre pozicioneve të reja në Qytetin e Shkupit që do të ishin një alternativë për burimin Rashçe. Bëhet fjalë për operacione më të gjera dhe me rëndësi strategjike për furnizimin me ujë të kryeqytetit. Është e papranueshme që për 30-40 vjet nuk kemi një mundësi rezervë “, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Оrce Gjorgjievski, në një seancë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, që u mbajt të martën (7 prill).

Ai theksoi se për momentin nuk ka rrezik për burimin Rashçe, se situata është e qëndrueshme dhe se niveli i ujit është më i lartë se sa në 25 vitet e fundit.

Deponia në Jegunovc mbetet një rrezik serioz

Duke u përgjigjur në një pyetje në lidhje me situatën me deponinë në ish-objektin “Jugohrom” në Jegunovce, Gjorgjievski theksoi se problemi po zgjidhet me një fokus të shtuar në mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Do të duhet të trajtohet me shumë kujdes. Mjedisi jetësor është në qendër të procesit dhe besoj se në të ardhmen problemi do të zgjidhet “, tha ai.

Problemi u aktualizua pasi profesori Zllatko Ilijoski paralajmëroi se deponia përmban rreth 7.000 ton krom gjashtëvalent, gjë që e vendos atë në kategorinë e mbeturinave të rrezikshme. Sipas vlerësimeve të Ilijoskit deponia përmban rreth 1,1 milion metra kub material me një masë të përgjithshme prej mbi dy milion ton, gjë që e bën çdo ndërhyrje jashtëzakonisht të kushtueshme dhe teknikisht komplekse.

Ilijoski këto ditë në emisionin “Top Tema” tha se nëse vendoset që mbeturinat të ngarkohen nga Jegunovci në kamionë, do të duhet të ngarkohen 100.000 kamionë, që është një kolonë deri në veri të Suedisë. “Vetëm 1 gram krom gjashtëvalent mund të kontaminojë 100.000 litra ujë. Teorikisht, 7.000 ton mund të kontaminojnë një sasi uji të barabartë me atë të 12 liqeneve të Ohrit”, paralajmëroi Ilijoski.

Kriza e ujit gjatë verës dhe konsumi rekord

Problemet me ujin në Shkup kulminuan edhe verën e kaluar, kur pjesë të qytetit mbetën pa ujë gjatë temperaturave shumë të larta. Në kushte thatësire kapaciteti i lumit Rashçe ishte më i vogël, ndërsa konsumi arriti nivele rekord.

Banorët e Shkupit konsumojnë mesatarisht rreth 700 litra ujë për banor në ditë.

Inxhinieri Dejan Dimovski, i cili punon në mirëmbajtjen elektromekanike dhe monitorimin teknik të konsumit të ujit në NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, para këshilltarëve në Qytetin e Shkupit më 17 korrik të vitit të kaluar tha se konsumi i ujit në Qytetin e Shkupit kishte arritur në 350.000 metra kub në ditë. Një konsum i tillë uji nuk është regjistruar në vitet e fundit. Për këtë arsye inxhinierët thanë se ka ardhur koha të shqyrtohet një burim alternativ i furnizimit me ujë për Shkupin.

“Duhet të mendojmë për Shkupin, për shqyrtimin e zonave shtesë për puse, duhet të mendojmë edhe për aspektet teknike, të cilat mund të shkaktojnë sforcimin e burimit natyror Rashçe dhe zonave natyrore të puseve. Aty ku Rashçe është i kaptuar, nëse e sforcojmë gjatë gjithë kohës për një periudhë mjaft të gjatë kohore, mund ta sjellim burimin në një situatë ku ai të gjejë një rrugë në tokë, çfarëdolloj rruge drejt ndonjë vendi tjetër”, tha Dimovski.

RMV-ja humbet mbi 60% të ujit të saj

Analiza e publikuar në vitin 2024 nga organizata Waterwise dhe organi britanik BSI tregon se siguria e ujit në Maqedoni po përkeqësohet. Vendi është ndër vendet me humbjet më të larta të ujit në rajon – rreth 63%.

Çdo vit humbasin 146 milionë metra kub ujë të pijshëm, 63 milionë metra kub nga të cilat në Shkup, që është sa 43% e humbjes të përgjithshme në nivel kombëtar.