Manchester United pritet t’i bashkohet garës për transferimin e një portiere për të zëvendësuar Andre Onanan pas paraqitjes së tij ndaj Lyonit.
Onana bëri dy gabime të pafalshme teksa United mori një barazim 2-2 ndaj Lyonit në udhëtim në kuadër të Ligës së Evropës.
Reprezentuesi kamerunas dështoi që ta presë goditjen e Thiago Almadas nga gjuajta e lirë, para se një gabim i tij t’i lejonte Rayan Cherkit të barazonte rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes.
Onana, i cili i kushtoi Unitedit 47 milionë euro në verën e vitit 2023, ka dështuar që të bëjë paraqitje të mira që prej se u transferua në Angli.
Ka pasur thashetheme se ai mund të zëvendësohet nga Ruben Amorim pas hapjes së afatit kalimtar veror.
Sipas mediumit italian Gazzetta dello Sport, tashmë ka pasur disa lëvizje nga drejtuesit e klubit anglez për zëvendësimin e tij.
Siç thuhet në raport, ‘Djajtë e Kuq’ janë duke monitoruar portierin e Brightonit, Bart Verbruggen, si një zëvendësues të mundshëm të tij.
Klubi madje tashmë ka kontaktuar me drejtuesit e Brightonit për të diskutuar mundësinë e transferimit të holandezit.
Verbruggen ka kontratë deri në qershor të vitit 2028 dhe Brightoni po kërkon 60 milionë euro për ta lënë atë të lirë.
22-vjeçari ka po ashtu ofertë edhe nga Bayern Munichu, të cilët janë në kërkim të një portieri të ri, teksa pati thashetheme se edhe Milani ka shprehur një interesim për shërbimet e tij.