FSK-ja shpëton një fëmijë 2-vjeç nga rrënojat e tërmetit në Turqi

Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë shpëtuar një fëmijë 2 vjeç në Turqi, derisa ende po mundohen ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës së vogël e cila është gjallë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

Lajmin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Sefer Isufi.

“Nga informatat e fundit që i kemi, këta kanë arrit me ekipet tona me i detektu disa prej njerëzve në rrënoja, dektektimi është i rëndësishëm, në momentin që detektohet masat për nxjerrje janë më të lehta”, ka thënë ai.

Klankosova.tv ka provuar ta kontaktojë të njëjtin për të marrë informata shtesë në lidhje me vendin ku është shpëtuar fëmija 2-vjeç, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri, deri më tani janë raportuar mbi 11 mijë viktima.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar gjatë ditës së sotme se kontingjenti i FSK-së po realizon me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmetit shkatërrimtar.

“Kontingjenti i FSK-së në Republikën e Turqisë, që nga orët e hershme të mëngjesit është duke operuar në provincën Hatay të Turqisë në mbështetje të autoriteteve turke për kërkimin dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve nën gërmadha”.

“Specialistët e kërkim-shpëtimit urban dhe ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të zbarkuar para dy ditësh në Republikën e Turqisë, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim -shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës”.

“Rajoni Hatay në Turqi ku po operojnë njësitet tona është rajoni më i goditur”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.