Fshirja e 20% një domosdoshmëri e kohës!

Shkruan: Medai Shaholli

Fshirja e nofkës denigruese të 20% ndaj shqiptarëve nga kushtetuta e ‘dërzhavës Severna’ është një domosdoshmëri e kohës që qëndron mbi kokat e shqiptarëve si ‘shpatë e Demokleut’.

Ky ndryshim i domosdoshëm vjen pas kërkesës së palës bullgare për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e vendit, fakt i cili subjekteve politike shqiptare nuk i binte ndër mend për ta hequr atë fjalë ofenduese të 20% nga kushtetuta, ku aty shqiptarët trajtohen pa identitet gjuhësor me emër por vetëm me shifër sikur të ishim një popull nomad arixhinjësh pa identitet.

Kjo kushtetutë e njëanëshme antidemokratike është miratuar me pëlqimin e të gjitha subjekteve politike shqiptare që nga MO ku edhe me ndyshimet e fundit kushtetuese ato tërhoqën çdo amandament që kishte të bëj me barazinë e gjuhës shqipe kushtetutë.

Subjektet politike shqiptare ankohen dhe u vjen keq që Bullgaria po kërkon përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë dhe nga ana tjetër nuk shohin statusin e gjuhës shqipe që shprehet me ofendim ndaj shqitarëve si bashkësi shifrash.
Ky është ‘peshqeshi’ që shqiptarët morën nga subjektet politike shqiptare si shpërblim ndaj luajalizmit dhe heqjes dorë nga barazia e ndarjes së shtetit dhe pushtetit si dhe mbi statusin inferior të gjuhës shqipe dhe të kombit si popull autokton den baba den në trojet e veta karshi sllavo-maqedoncave në ‘dërzhavën Severna’.

Kësisoj, shqiptarët dhe subjektet politike të mos shpresojnë se blloku sllavo-maqedon do të ketë mirëkuptim dhe do ‘ta fshij’ nga kushtetuta nofkën e turpit të 20% pasi ata e dinë mirë se këto parti që tradhtojnë njëherë kombin e tyre tradhtojnë gjithmonë.

Derisa nuk kemi një forcë politike të shqiptarëve për shqiptarët nofka e turpit si popull i shifrave nuk do të hiqet nga kushtetuta edhe po u hoq nuk do të pasyrojë përbërjen e vërtetë të këtij shteti eksperimental që mbahet në këmbë përmes patericave shqiptare në qeverinë e koalicionit.

Tashmë velloja e turpit ka mbuluar fytyrat e nxira të subjekteve plitike shqiptare pasi ato kanë shitur dhe stërshitur interesat kombëtare për para dhe një çik pushtet si vasale të despotëve të Shkupit të paktën që nga MO e deri më sot.