Fshati Miletinë pa ujë për pije, Pajaziti: Problemi është zgjidhur, por kemi shterje të puseve

Një pjesë e fshatit Miletinë të komunës së Bërvenicës është duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët për Televizionin 21 thanë se nga ditët e fundit të Ramazanit ata nuk kanë ujë edhe pse i paguajnë faturat me rregull. Ata thonë se tani e kanë më vështirë kur po rriten temperaturat.

Banorët shprehen:

“Një pjesë e fshatit prej te xhamia e lartë nuk kemi ujë edhe uji është gjëja elementare për jetesë edhe i bëj apel komunës që ky problem të rregullohet”.

“Miletina në pjesën e epërme ka mungesë të ujit, sidomos temperaturat kur rriten në kohën verës. Një pjesë, prej xhamisë lartë kemi mungesë të ujit rregullisht në këtë kohë por disa vite më parë është reduktuar nga pak, por tash ka filluar herët, që nga ditët e Ramazanit nuk kemi”.

Por kryetari i komunës, Enver Pajaziti thotë se defekti në një pompë ujë që e furnizon këtë fshat me ka bërë që i njëjti të ketë mungesë të ujit, por ajo tash është rregulluar edhe banorët do të jenë të furnizuar.

“Pompa si pompo ka pas një defekt edhe është djegur dhe kur u konstatua ndërmarrja publike intervenoi që të porositet. Dihet se këto janë pompa speciale dhe nuk janë në treg të lirë. Janë të Italisë dhe nëpërmjet furnizuesit është porositur edhe për tu dalë qytetarëve në ndihmë. Për gjatë Ramazanit edhe Bajramit ne intervenuam me një pompo improvizuese por ajo nuk ishte adekuate dhe nuk mund të nxirrte sasinë e ujit të duhur deri sa erdh pompa e re”, tha Pajaziti.

Bërvenica mund të thuhet se është komuna e vetme e cila ujin e pijshëm në shumë fshatra e siguron përmes puseve. Në këtë komunë ka mbi 10 puse që furnizojnë fshatrat me ujë të pijshëm. Sipas Pajazitit banorët tani kanë ujë për pije, por shterja e burimeve nëntokësore ka bërë që kjo komunë të kërkojë për burime të reja nëntokësore.