Frosina Remenski shqyrtoi dëshmitë kundër saj

“Loja e miut dhe maces” përreth Gjykatës së apelit në Shkup. Ekipet e gazetarëve me orë të tëra e pritën deputeten e LSDM-së Frosina Remenski të dalë nga hapësirat e Prokurorisë për kriminalitete të organizuar dhe korrupsion ku Remenski ka parë provat që prokurorja Villma Ruskoska i ka grumbulluar kundër saj për mënyrën e dyshimtë të financimit të organizatës humanitare të Boki 13, “Lidhja Ndërkombëtare”. Deputetja në gjykatë hyri rreth orës 10, ndërsa doli pak para orës 16. Skandaloze është ajo që Remenski nuk doli nga dera kryesore e gjykatës, por nga daljet ndihmëse të cilat policia i mbyll në ora 14:30 minuta. Mbetet dilema kush ka pasur çelësin dhe kush i ka hapur dyert që Remenski t’i shmang gazetarët. Mbetet e panjohur edhe ajo pse deputetja iku nga gazetarët dhe nëse shkak për këtë janë pyetjet që ajo nuk deshi t’u përgjigjet lidhur me atë se çfarë përmbajnë provat, a ishte prezenca e saj në takime me Bokin për t’i lënë përshtypje se pas tij qëndron Qeveria dhe çfarë dokumente janë marrë gjatë bastisjes së shtëpisë ?

Megjithatë për këto pyetje nuk morëm përgjigje. Kryetarja e Gjykatës së Apelit, Lidija Dimçevska, paralajmëroi se do hetojë se kush e ka hapur derën posaçërisht për deputeten  Remenski. Ndryshe, deputetja e LSDM-së Frosina Remenski e cila ishte nënkryetare nderi në shoqatën “Lidhja Ndërkombëtare” është e akuzuar bashkë me Boki 13, me babanë e tij Mile dhe dy persona tjerë për larje parash përmes organizatës humanitare të Boki 13. Sipas prokurorisë, kjo Organizatë nga biznesmenë ka marrë rreth 900 mijë euro duke u ofruar projekte biznesi.