“Fronti opozitar”: Artan Grubi e privatizon ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D

“Мbrëmë kishim rastin të shohim një teatër nën regjinë e BDI-së për përvetësimin, privatizimin dhe familjarizimin e projektit strategjik për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10. Sikur mjetet për financimin e projektit t’i japin nga xhepat e tyre, Ali Ahmeti, Artan Grubi dhe familjet e tyre, e jo të gjithë taksapaguesit. Ndërkohë, Artan Grubi u mundua ta mbulojë një skandal të ri korruptim me një pjesë të nënkontraktuesve të zgjedhur të gjigantit ndërtimor ‘’Bechtel dhe Enka’’. Për këtë arsye sot i parashtrojmë këto pyetje për të cilat presim përgjigje. A i tregoi Artan Grubi Ambasadores së SHBA-ve, Anxhela Ageler, se e keqpërdor prezencën e saj për të mbuluar skandale të reja me donatorë partiak të BDI-së? Sa milionë euro do të derdhen në llogaritë e ‘’Eurovia’’ dhe ‘’Ak Invest’’? Sa nga ato mjete do të derdhen në llogarinë e BDI-së e sa në xhepin e disa klientelistëve të instaluar përreth Ali Ahmetit? A ka gjetur mënyrë Artan Grubi që të fitojë provizion edhe kur do të jetë në opozitë? Pse Artan Grubi përgjegjësinë për mëkatet e tij personale ia hedh kompanisë Amerikano-Turke, ‘’Bechtel dhe Enka’’? Me çfarë të drejte dhe pacipërie e dëmton imazhin e këtij gjiganti me përmasa botërore?. Artan Grubi ka bërë vlerësim të gabuar. Mendon që ndryshimet e Kodit Penal do ta shpëtojnë. E gënjen veten. Ka dyshime se ai po abuzon me ndikimin e tij politik dhe pjesëmarrjen në pushtetin ekzekutiv për përfitime antiligjore për shumë adresa. Në kodin penal ekziston definicioni ‘’Vepër penale e vazhduar’’. I sugjerojmë që ta lexojë. Së fundi, mund të konkludojmë se angazhimet e BDI-së për anëtarësim në BE janë një mashtrim politik. Ata e keqpërdorin partneritetin strategjik me SHBA-të dhe integrimin në BE për përfitime personale në shpinë në qytetarëve” thuhet në kumtesën e tre partive poltike.