Shkruan: Florian Nesimi
Gjatë regjimit të Gruevskit dhe BDI-së në vitet 2008-2017, Gruevski e polarizoi shoqërinë maqedonase në “patriotë” dhe “tradhëtarë” dhe të gjithë që ishin kundër tij ai i etiketonte si tradhëtarë dhe shitës të interesave maqedonase.
Sot, fatkeqësisht koalicioni Fronti (evropian ose kombëtar?!) po e bën të njëjtën gjë në shoqërinë shqiptare. Ata nëpërmjet makinerisë propagandistike, vetveten e paraqesin si parti kombëtare teksa koalicionin VLEN e akuzojnë për shitje të interesave kombëtare.
Ky polarizim i shoqërisë shqiptare, të cilin me vetëdije të plotë e bën makineria propagandistike e “Frontit”, bëhet për dy arsye:
E para, karrierat politike të liderëve të Frontit janë para pensionimit dhe ata nëpërmjet nacionalizmit përpiqen të zgjatin jetën e tyre politike dhe të ruajnë privilegjet të cilat ende i gëzojnë;
E dyta, Fronti opozitar i përbërë nga politikanë të vjetër, nuk ka asnjë vizion për zgjedhjet lokale, asnjë ide dhe asnjë projekt për zhvillimin e komunave, dhe në mungesë të vizionit i kthehen temave të nxehta etnike për të fituar sa më shumë vota.
Qytetarët e kanë kuptuar propagandën e tyre politike, por po ashtu të njëjtën e kanë kuptuar edhe miqtë ndërkombëtarë dhe ambasadat e vendeve të huaja.