Fronti Europian në Likovë: Të zgjedhim të ardhmen europiane

Kandidati për president Bujar Osmani, kandidatët për deputet Skender Rexhepi Zejd dhe deputeti Berat Ajdari sot kanë takuar banorët në komunën e Likovës.

Bujar Osmani para qytetarëve të Likovës foli për peshën dhe rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, dhe atyre parlamentare të 8 majit.

Asnjëherë si tani nuk kemi qenë para dy të ardhmeve krejt ndryshe. Kanë mbetur edhe disa ditë që të vendosim se cilën të ardhme do e zgjedhim. A do të lejojmë që të na kthehet nacionalizmi I tërbuar që kërkon 61 deputet, apo do ta ruajmë kursin e dinjitetit të institucionalizuar nëpërmjet Frontit Europian. Politika është punë fisnike, ndoshta dikush e ka kontaminuar, ndoshta opozita me ketë fushatë të zezë, vetëm duke hedhur baltë me principin pështyj ndaj kundërshtarit se diçka do të ngjitet, ka krijuar përshtypje se politika është diçka e keqe. Politika nuk është punë e lehtë, është shërbim publik. Zgjedhjet presidenciale janë shumë të rëndësishme, për shkak se kemi ofertë historike dhe ka gjasa serioze për të triumfuar në raundin e parë, por edhe t’i themi stop nacionalizmit përjashtues që kërkon 61 deputet për tu hakmarrë për dinjitetin e institucionalizuar që e kemi si shqiptar. Ky është mision fisnik për të përmbledh barazinë përmes presidentit për të gjithë dhe për të integruar vendin në Bashkimin Europian në pesë vitet e ardhshme. Kjo do të varet nga vota juaj, tha në fjalën e tij Osmani.

Kandidati për deputet Skender Rexhepi- Zejd tha se është nder të jesh pjesë e një Fronti Europian i cili ka marrë mbi vete shumë përgjegjësi

Përgjegjësi, për trashëgimin tonë, gjeneratat që vijnë. Kemi tejkaluar çështjet personale, çështjet partiake, për tu bërë pjesë e një fronti të madh. Ideja e Frontit Europian është e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Kisha dashur që të jem unë ai propozues por nuk jam. Me një ekip të tillë çfarë jemi ne në këtë front, padyshim që do të bëhemi dëshmitar të një ndryshimi shumë të mirë, gjithandej, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjitha kombësitë tjera. Për herë të parë ndodh që një grupi politik përveç shqiptarëve, të ketë edhe përkatësi tjera etnike, me çka e ngritëm nivelin e politik nga rrafshi kombëtar – në atë mbarëkombëtar në nivel të gjithë Maqedonisë së Veriut., tha Zejd.

Deputeti Berat Ajdari tha se nga këto zgjedhje Fronti Europian padyshim se do të jetë fitues absolut, por theksoi se duhet të punohet shumë që diferenca të jetë sa më madhe.

Po e përfundojë mandatin si deputet me premtimin e realizuar, atë të kryeministrit shqiptar. Para katër viteve ne ballëhapur e kërkonim votën që të bëjmë realitet këtë projekt, shumë prej oponentëve tanë nuk na besuan por ja që ne qëllimin kryesor e realizuam. Për momentin që flasim vendi udhëhiqet nga kryeministër shqiptar dhe shpejti do e kemi edhe presidentin dhe njëherë e përgjithmonë ta vendosim barazinë në këtë vend, potencoi Ajdari.