Frika e Haradinajt, mësohet arsyeja pse kërkoi largimin e Kurtit nga pushteti – ja çka do t’i zbulonte

Kryeministri Albin Kurti ka qenë temë e diskutimit ditëve të fundit, pas vendosjes së reciprocitetit të targave dhe marrëveshjes me Serbinë.

Ai mori përkrahje të mëdha edhe nga partnerët ndërkombëtarë, mirëpo natyrisht që kundërshtarët e tij politik, opozita e kritikuan atë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e akuzoi kryeministrin Kurti se i ka dhënë dy goditje të rënda shtetësisë së Kosovës me marrëveshjen për targat e automjeteve dhe refuzimin për gazsjellësin amerikan.

Haradinaj në një konferencë për medie, tha se kryeministri Kurti u dëshmua se është antiamerikan me refuzimin për gazsjellësin, derisa tha se marrëveshjen për targat Kosova u kthye 10 vjet prapa.

“Shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda që ka shpallja e pavarësisë nga një kryeministër kukull. Dje është nënshkruar një marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa, po ashtu edhe refuzimin e gazsjellësit amerikan.

Me anë të marrëveshjes për targat e automjeteve Kurti goditi sovranitetin e vendit. Ky njeri e ka bërë hisedar Serbinë dhe ka pranuar të negociojë punën e ndjeshme të brendshme. Ky njeri me vendimin për gazsjellësin ka marrë vendimin më antiamerikan. Ky njeri ka nisur epikën anti Kosovë dhe anti Amerikë”, tha ai.

Mirëpo, analistët në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” thanë se akuzat e Haradinajt nuk qëndrojnë dhe ai vetëm po tenton ta tërheq vëmendjen e opinionit nga skandalet e ish-qeverisë së tij.

Qarri: Kërkesa e Haradinajt për dorëheqjen e Kurtit, e paarsyeshme

Image

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi kërkesën e Haradinajt për dorëheqjen e Kurtit.

Ai tha se Haradinaj po e bënë këtë kërkesë, pa asnjë arsye të besueshme për qytetarët dhe popullin e Kosovës së lodhur nga ta.

“Habit fakti se si mu në prag të zgjedhjeve komunale, kur edhe fushata e përditshme për vota është në vlug, Ramush Haradinaj i cili bashkë me Hashim Thaçin, dhe Isa Mustafën para më pak se një viti në postin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës e sollën vet Goran Rakiqin e Listës serbe, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti-1, tani nuk po heziton që të kërkojë edhe dorëheqjen e kryeministrit, pa asnjë arsye të besueshme për qytetarët dhe popullin e Kosovës së lodhur nga ta”, deklaroi ai.

Qarri tha se Haradinaj po mban shpresë se në qoftë se Kurti largohet nga pushteti, atëherë partia e tij, AAK do të merrte ndonjë votë më tepër në zgjedhjet lokale.

Po ashtu, ai tha se tani Haradinaj po e akuzon Kurtin, për t’i mbuluar turpet dhe dështimet e veta, për mos shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e vendit.

“Madje me shpresën se po të ikte vërtet Albin Kurti nga pushteti, AAK do të merrte ndonjë votë më tepër, nga elektorati i manipuluar ndër vite nga komandantët dhe nuk do të pësonte fiasko edhe në komunat që deri më tani udhëhiqeshin nga partia e tij, ai nuk pushon ditë e natë duke u marrë vetëm me kryeministrin, sikur Kosova të mos kishte asnjë problem tjetër në këto momente krize elektorale për Ramushin dhe partinë e tij.

Për aq më tepër, vendosjen e reciprocitetit për targa me Serbinë, nga Albin Kurti, marrëveshje të cilën me gjithë të metat, Thaçi, Veseli, Mustafa, Haradinaj as Limaj të gjithë bashkë, jo vetëm që nuk patën guxim kurrë ta jetësonin, por as nuk guxuan ta provonin realizimin e saj ndonjëherë, tani gjejnë ngushëllim duke e akuzuar Kurtin, për t’i mbuluar turpet dhe dështimet e veta, për mos shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e vendit”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai tha së nga frika e aktpadisë së ministrit Murati në prokurori për keqpërdorime, Haradinaj ka filluar ta akuzojë Kurtin për çdo gjë, madje edhe për reciprocitet, që sipas tij kjo gjë është e padrejtë.

Madje, ai tha se në vend që t’i kërkojë dorëheqjen Kurtit, më mirë do të ishte nëse Haradinaj do të jepte dorëheqje nga partia dhe politika.

“Kurse nga frika se pas aktpadisë së paraqitur nga ministri Hekuran Murati në prokurori për keqpërdorimin e shpronësimit të tokave buzë autostradës në ndërtim e sipër, Prishtinë -Pejë, ai së shpejti mund të përballet edhe me drejtësinë, Ramushi ka filluar ta akuzoi kryeministrin Kurti për çdo gjë, madje edhe për reciprocitetin e vendosur me Serbinë, gjë që vërtetë është shumë e padrejtë, përderisa, sipas mediave në vend, ai vet kur ishte në Qeveri përveç bashkëpunimit me shefat e bandave kriminale në Veri, si Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiqiq, ka vendosur taksën, por nuk ka mundur të bëjë asgjë për një reciprocitet të mbështetur nga miqtë tanë ndërkombëtar.

Shumë më mirë do të ishte që vet Haradinaj përfundimisht të lirohet nga frika e ndëshkimit nga populli dhe nga ligjet e shtetit, e të ofrojë dorëheqje nga partia dhe politika, ne vend që ti kërkojë Kurtit dorëheqjen, sapo kryeministri aktual, futi në veprim reciprocitetin e parë me Serbinë, të cilin Hashim Thaçi, Isa Mustafa as vet Ramush Haradinaj, nuk patën guxim kurrë ta jetësonin as futnin në fuqi”, potencoi Qarri.

Krejt në fund, analisti përmendi edhe çështjen e refuzimit të gazsjellësit amerikan, ku ai kërkoi që fillimisht duhet të sqarohet kjo gjë dhe jo të kritikohet Kurti menjëherë.

Ai tha se i gjithë ky reagim në këtë temë, të bënë të mendosh se ata kanë ndonjë interes të madh financiar.

“Kurse, lidhur me refuzimin për gazsjellësin amerikan, fillimisht duhet të sqarohet se mos partitë e inkriminuara, të cilat reagojnë shumë më ashpër kundër Albin Kurtit se sa kundër vet kriminelit Vuçiq dhe Serbisë fashiste, kanë ndonjë interes të madh financiar që deklarohen me këtë uninon dhe bëhen kaq të zëshme të gjitha përnjëherë.

E nëse çdo gjë është në rregull dhe nuk ka involvim të liderëve apo partive të inkriminuara për zhvatje financiare edhe në këtë projekt, si në të gjithë tenderët e deritanishëm me përqindje marramendëse të plaçkës dhe përvetësimit të parave publike, projekti për gazsjellësin amerikan duhet të miratohet menjëherë dhe pa asnjë shtyrje të mëtejshme, për vet faktin se projektet amerikane i përkrah dhe mbështet pa asnjë rezervë, mbarë populli dhe çdo qytetar i vendit si dhe janë jetike për ecjen tonë përpara, lirinë e forcimin e shtetit tonë dhe vet mbijetesën e Kosovës”, përfundoi Gani Qarri.

Mehmeti: Me akuzat kundër Kurtit, Haradinaj po mundohet ta largojë vëmendjen nga skandalet e ish-qeverisë së tij

Image

Analisti politik, Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti u shpreh se qëllimi i akuzave të Haradinaj është dëgjimi i zërit opozitar, në mungesë të zërave të PDK-së dhe LDK-së.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se përmes këtyre deklaratave po mundohet t’i mbajë anëtarët e partisë së tij, të cilët po i ikin çdo ditë.

“Qëllimi i akuzave të Ramushit është të dëgjohet zëri opozitar në mungesë të zërave kritikë nga PDK dhe LDK, të cilët kanë rënë në gjumë të thellë. Duke ditur se situata në terren për AAK nuk është e mirë, Ramushi po mundohet ta mbajë afër aq sa mundet anëtarësinë që çdo ditë po ikën”, deklaroi analisti

Gjithashtu, Mehmeti tha se duke parë situatën politike në vend, AAK po shkon hapave të Nismës. Po ashtu, ai beson se këto akuza do t’i kthehen bumerang Haradinajt.

“Tashmë është fakt se AAK po shkon drejt hapave të Nismës, kështu që Ramushi po mundohet të mobilizojë elektoratin për aq sa mundet.

Megjithatë, duke kritikuar Albinin për keqqeverisje, me qytetarët që e dijnë se çfarë qeverisje të keqe ka prodhuar AAK, kjo do i kthehet në bumerang z.Haradinaj”, theksoi ai.

Në fund, analisti tha se përmes këtyre akuzave po mundohet ta largoj vëmendjen e qytetarëve nga skandalet e ish-qeverisë së tij.

“Me këto akuza vetëm po mundohet ta largojë vëmendjen e qytetarëve nga skandalet e ish-qeverisë Haradinaj, ndonëse asgjë nuk e shpëton AAK nga shuarja”, përmbyll Faton Mehmeti, përcjell “Bota sot”./BOTASOT