Francë, vazhdon greva kundër reformës së planifikuar të pensioneve

Greva kundër reformës së planifikuar të pensioneve, që paralizoi Francën të enjten, ka hyrë në ditën e saj të dytë. Disa sindikata, mes të cilave ato të punonjësve të hekurudhës dhe metrosë, vendosën të zgjerojnë aksionin, çka do të thotë edhe një tjetër ditë problematike me ndërprerje të shërbimeve kryesore. Kjo vjen pasi më shumë se 800 mijë vetë protestuan të enjten, me përleshje të dhunshme të raportuara në një numër qytetesh. Punëtorët janë të zemëruar për reformën e planifikuar të pensioneve që do të bëjë që ata të dalin më vonë në pension ose të përballen me pagesa më të reduktuara. Franca aktualisht ka 42 skema të ndryshme pensionesh në sektorët privatë dhe publikë, me variacione për sa i takon moshës së daljes në pension dhe përfitimeve. Presidenti Emmanuel Macron thotë se planet për një sistem universal të bazuar tek pikët, do të ishin më të ndershme, por shumëkush nuk është dakord.