Francë, teste droge për zyrtarët e ministrive

Qeveria franceze ka nisur zbatimin e testeve të papritura dhe të paparalajmëruara të drogës në administratën shtetërore, një masë që ka sjellë edhe largimet e para nga puna. Sipas raportimeve, disa punonjës ministrish janë shkarkuar pasi kanë rezultuar pozitivë në testet e kryera.

Sébastien Lecornu deklaroi se kjo nismë synon, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë, pasi shumë zyrtarë kanë akses në informacione të ndjeshme. Ai theksoi gjithashtu se shteti duhet të ruajë besueshmërinë në luftën kundër drogës dhe se nuk mund të ketë standarde të dyfishta në trajtimin e këtij fenomeni.

Testet, të cilat kryhen përmes analizave të pështymës, prekin anëtarë të ministrive, zyrtarë të lartë dhe personel që i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë. Në rast rezultati pozitiv, autoritetet shqyrtojnë masa disiplinore, deri në largimin nga detyra.

Sipas Lecornu, kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë të rastësishme dhe nuk janë thjesht një masë simbolike. Së fundmi, testime u zhvilluan edhe në selinë e qeverisë franceze, ku, sipas mediave, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij rezultuan negativë.