Franca liron shtetasin saudit që lidhej me rastin e vrasjes së Khashoggit

Burri saudit i arrestuar të martën në një aeroport të Parisit për lidhje të dyshuara me vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi është liruar pasi zyrtarët arritën në përfundimin se nuk ishte personi që e kërkonin, njoftoi prokuroria e Parisit.

Burimet franceze të zbatimit të ligjit thanë se personi i identifikuar si Khalid Alotaibi, me të njëjtin emër si një ish-anëtar i Gardës Mbretërore Saudite i cili gjendet në listën “persona non-grata” në SHBA dhe Britani të Madhe dhe në një raport të Kombeve të Bashkuara, dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Khashoggit në Turqi.

Megjithatë, ambasada saudite në Paris kka konfirmuar se personi i arrestuar “nuk ka të bëjë fare me rastin në fjalë”, raporton aljazeera.

Një burim sigurie në Arabinë Saudite shtoi se “Khaled Alotaibi” ishte një emër shumë i zakonshëm në mbretëri dhe se personi për të cilën raportuan autoritetet franceze, në realitet po vuante dënimin në një burg në Arabinë Saudite së bashku me “të gjithë të pandehurit në këtë rast”.

Khashoggi, një gazetar i Washington Post dhe kritik i sundimtarit de fakto të Arabisë Saudite – Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman (MBS), u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018. Zyrtarët turq besojnë se trupi i tij u copëtua dhe u largua nga ambasada. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur.