Autoriteti i Aviacionit Civil francez u ka kërkuar të hënën linjave ajrore të anulojnë 15% të fluturimeve deri vonë në mbrëmje në aeroportet Orly dhe Charles de Gaulle pas reshjeve të dendura të dëborës në kryeqytetin francez Paris.
Linjat ajrore janë të lira të zgjedhin se cilat fluturime anulojnë për sa kohë që zvogëlojnë ngritjet dhe uljet, ka thënë një zëdhënës për Reuters.
Linjave ajrore u është kërkuar të reduktojnë fluturimet deri në orën 20:00 në aeroportin Paris-Charles de Gaulle dhe deri në orën 23:30 në Paris-Orly.
Ministria franceze e Transportit u ka kërkuar udhëtarëve të kontrollonin nëse fluturimi i tyre do të realizohej para se të largoheshin nga shtëpia dhe të shkonin në aeroport me transport publik në vend të përdorimit të veturës.
Ndërkohë, aeroporti Amsterdam Schiphol, një nga qendrat më të ngarkuara të Evropës, ka anuluar pothuajse 500 fluturime të hënën në mëngjes dhe ishte i mbyllur për trafikun hyrës deri në orën 12:00 gjithashtu për shkak të reshjeve të dëborës, raportoi agjencia e lajmeve ANP.




