Franca fillon me injektimin e dozave përforcuese të vaksinës kundër COVID-19

Franca ka filluar të mërkurën vaksinimin e njerëzve me dozën e tretë të vaksinës kundër coronavirusit.

Sipas medieve të huaja, pranuesit do të jenë persona mbi moshën 65 vjeç dhe ata persona me sëmundje ekzistuese, duke u siguruar që të njëjtit t’i kenë kaluar së paku gjashtë muaj që kur u vaksinuan plotësisht me vaksinat nga Pfizer ose Moderna.

Ata që morën vaksinën e Johnson & Johnson e cila është me një dozë të vetme, mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës Pfizer ose Moderna, të paktën katër javë pasi u vaksinuan për herë të parë.

Ministria franceze e shëndetësisë tha se rreth 18 milionë njerëz vlerësohen se kanë të drejtë për t’u vaksinuar me dozë përforcuese.

Qeveria ndoqi rekomandimet e autoritetit shëndetësor të vendit, HAS, që deklaroi muajin e kaluar se “studimet e fundit sugjerojnë një rënie të efektivitetit të vaksinës, veçanërisht me variantin Delta”.

Të moshuarit dhe personat me sëmundje ekzistuese janë më të prekurit nga rënia, me kalimin e kohës, sipas HAS.

Doza përforcuese ishte tashmë e disponueshme në Francë për disa njerëz veçanërisht të rrezikuar, si marrësit e transplantit dhe të tjerët me sistem të dobët imunitar.