Franca drejt kufizimit të rrjeteve sociale për të miturit

Parlamenti i Francës pritet të debatojë më 19 janar 2026 projektligjin për kufizimin e rrjeteve sociale, i cili parasheh ndalimin e përdorimit të tyre për fëmijët nën 15 vjeç dhe vendosjen e një “ore policore digjitale” për moshat 15-18 vjeç.

Sipas draftit, nga 1 shtatori 2026 platformat online nuk do të mund të ofrojnë shërbime të rrjeteve sociale për nën-15-vjeçarët. Ligji synon gjithashtu zgjerimin e ndalimit të telefonave mobilë, që nga viti 2018 vlen për shkollat më të ulëta, edhe në shkollat e mesme të larta, raporton AFP, transmeton Klankosova.tv.

Projektligji u propozua më 18 nëntor nga deputetë të partisë së presidentit Emmanuel Macron, i cili e ka mbështetur publikisht ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët.

Nisma vjen mes shqetësimeve për ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë, përfshirë ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, ngacmimin kibernetik dhe çrregullimet e gjumit. Këto debate janë nxitur edhe nga raste tragjike, si ai i një 15-vjeçari francez që kreu vetëvrasje në vitin 2024, ndërsa familja e tij ka paditur platforma si TikTok dhe Meta, duke i akuzuar për përmbajtje që nxisnin vetëdëmtimin.

Ndërkohë, Australia u bë këtë muaj vendi i parë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke përfshirë platforma si TikTok, Instagram, Facebook, YouTube dhe Snapchat. /Klankosova.tv