Qendra Rinore në Tetovë po vazhdon të zgjerojë aktivitetet e saj, duke u shndërruar në një hapësirë të gjallë për nxënësit dhe të rinjtë e qytetit. Sot aty u mbajt paneli me temë: *“Parandalimi i delikuencës, shfrytëzimi i kohës kualitative si faktor mbrojtës ndaj veprimeve devijante”*, i organizuar në bashkëpunim me Këshillin për Parandalimin e Delikuencës dhe përfaqësues nga SPB Tetovë.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami – njëherit kandidat për edhe një mandat, theksoi se falë angazhimit të të rinjve, Qendra Rinore është bërë një pikë kyçe për aktivitete arsimore, kulturore dhe argëtuese.
“Komuna e Tetovës do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë tanë me aktivitete cilësore dhe alternativa pozitive për zhvillimin e tyre,” u shpreh Kasami.
Ky aktivitet është pjesë e nismave të komunës për parandalimin e dukurive negative dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në shoqëri.