Forcat speciale britanike dhe amerikane po përgatiten për të shpëtuar Zelenskin

Teksa lufta në Ukrainë hyri në ditën e saj të 11-të media britanike The Sun shkruan se forcat speciale amerikane dhe komandot britanike SAS po përgatisin një operacion shpëtimi me ‘’rrezik të lartë’ për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Media britanike shkruan se ushtarët britanik dhe amerikanë janë mbledhur në një bazë të largët në Lituani për operacionin në fjalë.
Duke nënvizuar faktin se forcat speciale ruse Spetsnaz kanë në shenjëster presidentin ukrainas The Sun thekson se operacioni i përbashkët SHBA-Britani e Madhe është planifikuar për t’i bërë këto përpjekje të pafrytshme.

Një burim që foli per ‘The Sun’ në kushte anonimiteti tha se si pjesë e operacionit, rreth 70 ushtarë britanikë dhe 150 amerikanë u trajnuan për misionin e shpëtimit së bashku me forcat ukrainase.

Por burimi nënvizon se vendimi përfundimtar për këtë operacion do t’ i takojë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt.

Pas këtij lajmi, Ministria Britanike e Mbrojtjes u shpreh : “Nuk mund të komentojmë forcat speciale”.