Një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse e propozuar për Gazën mund të përbëhet nga rreth 20,000 trupa, ku Indonezia vlerëson se mund të kontribuojë me deri në 8,000 prej tyre, ka thënë të martën zëdhënësi i presidentit indonezian, Prabowo Subianto.
Zëdhënësi ka theksuar se ende nuk janë rënë dakord kushtet e dislokimit apo zonat e operimit.
Prabowo është ftuar në Uashington më vonë këtë muaj për takimin e parë të Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump.
Vendi i Azisë Juglindore vitin e kaluar u angazhua të përgatisë 20,000 trupa për dislokim në një forcë paqeruajtëse për Gazën, por ka thënë se po pret më shumë detaje mbi mandatin e forcës përpara se të konfirmojë dërgimin e trupave.
“Numri total është afërsisht 20,000 (nga vende të ndryshme)… nuk është vetëm Indonezia”, u ka thënë gazetarëve të martën zëdhënësi presidencial Prasetyo Hadi, duke shtuar se numri i saktë i trupave ende nuk është diskutuar, por Indonezia vlerëson se mund të ofrojë deri në 8,000.
Prasetyo gjithashtu ka thënë se do të ketë negociata përpara se Indonezia të paguajë 1 miliard dollarët që kërkohen për anëtarësim të përhershëm në Bordin e Paqes.
Ai nuk ka sqaruar se me kë do të zhvilloheshin negociatat teksa ka thënë se Indonezia ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Prabowos në takimin e bordit.
Plani i paqes për Gazën i presidentit amerikan parasheh ndër të tjera krijimin e një force paqeruajtëse.



