Policia e Shtetit ka bërë të ditur se për shkak të fluksit të shtuar të lëvizjeve gjatë sezonit turistik, strukturat e Policisë Rrugore në Vlorë kanë intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore, me fokus të veçantë në segmentet që të çojnë drejt zonave bregdetare.
Në njoftimin për media thuhet se tuneli i Llogarasë është nën vëzhgim të vazhdueshëm 24/7, përmes sistemit të kamerave të sigurisë që regjistrojnë çdo moment qarkullimin.
“Çdo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor konstatohet në kohë reale dhe penalizohet pa tolerim, sipas Kodit Rrugor”, thuhet në njoftim.
Në këtë segment rrugor ndalohet qarkullimi i mjeteve me peshë mbi 3.5 ton, si dhe ndalohen në mënyrë kategorike parakalimet në tunel, të cilat përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë rrugore.
Çdo shkelje e këtyre rregullave sjell masa të menjëhershme ndëshkimore administrative.
Policia e Vlorës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, respektoni sinjalistikën rrugore dhe udhëtoni me kujdes, për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt për të gjithë.