Bartësi i listës së VLEN, Florim Rakipi është zgjedhur ditën e sotme edhe kryetar i këshillit komunal në komunën e Bogovinës.
Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i kësaj komune, Feti Abazi, në faqen e tij zyrtare, në Facebook.
“KONSTITUIMI I KËSHILLIT KOMUNAL TË KOMUNËS SË BOGOVINËS
DHE ZGJEDHJA E KRYETARIT TË KËSHILLIT, z. FLORIM RAKIPI.
Sot, Komuna e Bogovinës shkroi një kapitull të ri në historinë e saj institucionale. Me konstituimin e Këshillit Komunal dhe zgjedhjen e kryetarit të tij, z. Florim Rakipi, vendi ynë lokal hodhi një hap të rëndësishëm drejt një qeverisjeje më të përgjegjshme, më vizionare dhe më të bashkërenduar me nevojat e qytetarëve.
Ky akt nuk është vetëm procedurë formale; është manifestim i vullnetit të lirë të qytetarëve dhe një moment reflektimi mbi peshën e besimit publik.
Zgjedhja e z. Florim Rakipi në krye të Këshillit Komunal shënon jo vetëm një besim të dhënë, por një përgjegjësi të pranuar. Me përvojën e tij, me qetësinë e vendimmarrjes dhe me frymën bashkëpunuese, ai përfaqëson garancinë se puna e Këshillit do të jetë transparente, e drejtë dhe e përkushtuar.
Të gjithë së bashku, me energji të re, me synime të qarta dhe me besim në forcat tona, vazhdojmë tutje – me më shumë punë, më shumë bashkëpunim dhe më shumë përkushtim ndaj së mirës së përbashkët.
Bogovina sot fillon një etapë të re – dhe kjo etapë na përket të gjithëve”, ka njoftuar Feti Abazi.






