Florian Nesimi flet me emocion: Duhet të gëzohet çdo tetovar, pas 45 viteve, udhëheqësia aktuale e komunës po na e ndërton stadiumin

Analisti dhe futbolldashësi i njohur Florian Nesimi ka reaguar publikisht lidhur me ndërhyrjen historike që po ndodh në stadiumin e qytetit të Tetovës, objekt ky i ndërtuar në vitet 1980/1981. Ai kujton me emocione kohën kur si tifoz ka kaluar një pjesë të jetës në shkallët e këtij stadiumi, duke përkrahur ekipin e zemrës, KF Shkëndija.

“Stadiumi i Tetovës është ndërtuar në vitet 1980/1981 dhe pas plot 45 vitesh për herë të parë po ndodh renovimi total, apo në fakt ndërtimi i një stadiumi të ri dhe modern. Paramendoni, 45 vite aty nuk ka ndodhur asnjë renovim më serioz dhe u desh të vijë kjo udhëheqësi aktuale që t’i rreket çështjes së stadiumit”, thekson Nesimi.

Ai kujton se gjatë gjithë kësaj periudhe, i vetmi ndryshim ka qenë vendosja e ulëseve të verdha në vitin 2005, të cilat ishin donacion nga një klub gjerman.

“Në vitin 2015, Komuna nënshkroi një marrëveshje me Federatën e Futbollit për renovimin e stadiumit. Marrëveshja quhej ‘het trik’ dhe bëhej fjalë për një investim nga UEFA që duhej të kalonte në tre faza. U realizua vetëm faza e parë, renovimi i fushës së blertë, ndërsa dy fazat tjera dështuan. Pse dhe si dështuan fazat tjera unë nuk e di, por vetëm e di se Tetovën e lanë pa stadium”, shton ai.

Sipas Nesimit, ndërhyrja që po ndodh tani është më seriozja në historikun e këtij objekti sportiv.

“Sot, pas 45 vitesh, po ndodh për herë të parë një ndërhyrje më serioze, apo më seriozja në historikun e këtij stadiumi. Dhe ky është një fakt që duhet të gëzojë çdo tetovar, sidomos të gjithë futbolldashësit që e dinë çfarë rëndësie ka ky stadium për Shkëndijën dhe për qytetin.”

Renovimi i stadiumit të Tetovës është pritur me entuziazëm nga tifozët, sportdashësit dhe qytetarët, të cilët prej dekadash e kanë parë këtë objekt si një simbol të qytetit dhe të historisë sportive të tij.