Në një prononcim për mediat, pronarja e restorantit që u përfshi nga flakët në orët e para të së enjtes në Theth, Aida Gjeçaj, shpreh dyshimet e saj se zjarri ka prapavijë tjetër dhe jo shkëndijën elektrike.
Sipas Gjeçajt, kur zjarrfikësja mbërriti në vendngjarje, dritat e objektit ishin ende të ndezura, duke përjashtuar kështu mundësinë e një shkëndije elektrike si shkak të zjarrit.
Ajo thekson se është një “koncidencë e keqe” që zjarri ra pikërisht në kohën kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po zhvillonte një aksion për heqjen e objekteve pa leje në zonën e Thethit.
Aida Gjeçaj shtoi se nuk ka asnjë procedim për prishje, pasi nuk ka ndërtim pa leje në pronësi të saj.
“Ekspertët thonë se energjia nuk ishte shuar fare, edhe pse godina ishte në flakë, gjë që përjashton shkëndijën elektrike. Unë nuk kam dyshime, nuk kam askujt borxh, s’kam pas as kërcënim as gjë, dhe nuk di pse ka ardhur. Unë jam një bujtinë me 5 dhoma, pasi s’kam dashur të ndërtoj asgjë pa leje, por s’di kujt t’ja vë gishtin. Koncidenca me aksionin në Theth është e keqe, sepse unë nuk kam procedim për prishje, pasi nuk kam ndërtime ose objekte pa leje. Kam zgjedhur të punoj me restorantin dhe 5 dhoma, duke pritur dhe përcjellë sa të kemi mundësi për t’u ofruar një shërbim maksimal turistëve dhe emrit të Thethit”, tha ajo.
Gjeçaj thotë se i ka kushtuar përkushtim të madh restorantit dhe dhomave që ofron për turistët, dhe se dëmi i shkaktuar nga zjarri vlerësohet rreth 150 mijë euro.
“Dëmi mund të jetë rreth 15 mijë euro, ja lë në dorë drejtësisë, por s’është nga energjia. Nuk kam dijeni, pasi gjendesha në Tiranë në momentin e zjarrit. Kur më njoftuan në dy të natës që kishte rënë zjarri në subjektin tim, u nisa dhe erdha. Komshinjtë kanë ndërhyrë sa kanë mundur, por s’kanë arritur të shpëtojnë asgjë. Kjo është struktura ime, që ishte restorant me panele diellore. Zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë, por gjithsesi ka mbërritur. Falenderoj komshinjtë që kanë ardhur për të evituar shpërndarjen e zjarrit. Falë Zotit, nuk ka pasur dëme njerëzore, as nga familjarët, as nga turistët. Restoranti dhe biznesi janë në pronësinë time”, përfundoi ajo.