Eufori e madhe kaploi të dielën në mbrëmje sheshet e qyteteve kosovare, pas fitores së bindshme të Lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet parlamentare. Edhe pse nga partia e Albin Kurtit apeluan që të festohet nëpër shtëpi, shumë qytetarë nuk mundën të përmbajnë veten. Sfiduan temperaturat e ulëta dhe vërshuan sheshet. Ekipi i Lajm Tv ishte në Prishtinë, ku festës iu bashkangjitën edhe shumë shqiptarë nga qytete tjera, por edhe prej jashtë Kosovës. Takuam një çift nga Lugina e Preshevës, ata pas fitores së madhe të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, janë optimistë se po i afrohemi bashkimit kombëtar.
Të gjitha manifestimet ishin të stolisura me flamuj kuq e zi, e askund nuk vërehej flamuri zyrtar i Kosovës. Qytetarët që festonin, janë të bindur se kjo fitore e madhe do të sjellë avancim për Kosovën në të gjitha sferat.
Fitorja e djeshme e Vetëvendosjes është e përmasave historike, duke tejkaluar edhe fitoren e LDK-së në vitin 2001, kur udhëhiqej nga presidenti Ibrahim Rugova. Për këtë arsye edhe pritjet e qytetarëve janë për kthesë historike.
Nga Lëvizja Vetëvendosja premtojnë se do të arsyetojnë besimin e madh të qytetarëve.
Teksa vazhdon numërimi i votave, është gati e sigurt se lista e Vetëvendosjes ka fituar mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm. Në nivel të detyrës kësaj radhe ka qenë mërgata kosovare, e cila me postë ka dërguar rreth 80 mijë vota, të cilat priten të numërohen./Gazeta Lajm