Flamujt nazistë shfaqen në Stokholm në ditëlindjen e Hitlerit

Tre flamuj me “Svastika” u gjetën të varur mbi autostradën më të ngarkuar të Suedisë të dielën, raportuan mediat suedeze.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia u alarmua për parullat e varura mbi hyrjen e një tuneli në autostradën Essingeleden në orën 7:19 të mëngjesit, dhe ato u hoqën në orën 7:40.

Essingeleden, i cili kalon nëpër kryeqytetin suedez të Stokholmit, është pjesë e rrugëve evropiane E4 dhe E20 dhe konsiderohet ndër rrugët më të ngarkuara në Suedi.

Zëdhënësi i policisë, Mats Eriksson tha për SVT se pas incidentit ishte paraqitur një raport për nxitjen e urrejtjes ndaj një grupi të popullsisë.

Sipas policisë suedeze, aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar.

Siç theksojnë mediat, incidenti përkoi me ditëlindjen e liderit nazist Adolf Hitler, që është më 20 prill.

Suedia thuhet se pa një rritje të mprehtë të incidenteve antisemitike pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023.