“Fjalimi më i ligë që kam dëgjuar”, Hoti e Nagavci përplasen ashpër në Kuvend

​Gashi: Përdorimi i personave të pagjetur për interesa politike është një turp i madh

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se për personat e zhdukur ka vetëm një fajtor dhe ajo është Serbia, që ka dokumentacione dhe arkiva.

Ai tha se kjo çështje po politizohet dhe se përdorimi i personave të pagjetur për interesa politike është një turp i madh.

Gashi u shpreh se vetëm disa ditë më parë është gjetur një varrezë masive në Serbi, për çka tha se gjithçka ka qenë e organizuar.

Gashi: Të përdoret për interesa politike me argumente të paqena pajtohem se është një turp i madh

“Trajtimi i saj mbi idenë e politizimit është vetëm edhe një hap tjetër drejtë turpit të përbashkët të përdorimit për interesa ditore politike të një çështje kaq të dhimbshme nacionale. Pra, personat e pagjetur dhe fati i tyre dhimbja e familjeve dhe shoqërisë kosovare të përdoret për interesa politike me argumente të paqena pajtohem që është një turp i madh. Por, t’i kthehemi temës pak më dinjitetshëm, personat e pagjetur sot po trajtohen këtu nga një këndvështrim i gabuar. Për personat e pagjetur ka vetëm një fajtorë, vetëm një, nuk janë dy, është shteti i Serbisë, jo regjimi i Millosheviqit, jo politika e Serbisë, shteti i Serbisë, sepse ajo vrasje, ato zhdukje janë kryer nga shteti i Serbisë, nga strukturat shtetërore pa marrë parasysh regjimin, pa marrë parasysh kush qeverisë në Serbi. Ata kanë dokumentacion, ata kanë arkiva, ata kanë përgjegjësi. Para dy ditësh gjendet një varrezë masive në Serbi, e organizuar vrasja, e organizuar zhdukja, e organizuar fshehja, e organizuar heshtja mbi 20 vjeçare. Ky organizim është nga shteti i Serbisë, nuk kemi nevojë që të sulmojmë njëri tjetrin, nuk kemi nevojë që të kapemi mes vete për këto tema, sepse adresa është një, është në Serbi”, tha ai.

Ai tha se për të arritur që të imponohet zgjidhje për këtë temë, duhet të jenë unik dhe të kërkojnë partneritet ndërkombëtarë, për çka tha se partneriteti ndërkombëtar mund të jetë çelësi që të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Po ashtu, ai tha se në mënyrë që shteti që e ka bërë këtë krim të marrë përgjegjësinë duhet të jenë bashkë dhe duhet të krijojnë presion mbi Serbinë.

Gashi: Serbia i ka dokumentacionet ku janë personat e pagjetur

“Ne duhet të jemi unik dhe të ndërtojmë partneritet ndërkombëtarë për presion mbi Serbinë, sepse në Serbi janë personat e pagjetur. Serbia i ka dokumentacionet ku janë personat e pagjetur, si i kanë zhdukur këta persona dhe Serbia duhet të dorëzojë. Pra, ne mund të pajtohemi që paqja dhe pajtimi në këtë rajon nuk mund të arrihet për pa u zbardhur fati i personave të pagjetur, për pa u marrë përgjegjësia institucionale e shtetërore nga shteti që i ka bërë këto krim, këtë gjenocid mbi qytetarët e Kosovës. Unë kam edhe një këndvështrim pak më ndryshe, unë jam shumë dakord që të mos politizohet për politika të brendshme kjo çështje, por mbi të gjitha kjo çështje është politike, kjo çështje është politike sepse ata njerëz janë vrarë për arsye politike, ata njerëz janë vrarë sepse kanë qenë shqiptarë, pra është politike dhe kryekëput politike me Serbinë, por mos të tentojmë që ta politizojmë për politika të brendshme ditore në Kosovë, kjo mund të jetë problem”, tha ai.

Gashi tha se raportet mes Kosovës dhe Serbisë varen nga çështja e të pagjeturve, nuk ka paqe dhe pajtim pa u gjetur këta persona dhe pa kërkuar llogari për të gjithë atë sistem që bëri këtë krim makabër.

***

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se dy dekada pas përfundimit të luftës, familjarët e të pagjeturve vazhdojnë t’i kenë plagët e hapura.

Ajo tha se këta familjarë meritojnë të pushojnë në tokën e Kosovës, e Kosova meriton të ketë qetësi për gjetjen e tyre.

“Serbia duhet të jap përgjegjësi për këtë . E ka detyrim ligjor ndërkombëtarë, sepse e drejta ndërkombëtare vlen për secilin dhe rregullat e saj janë të detyrueshme për të gjithë. E drejta ndërkombëtare thotë se shteti përgjegjës duhet të ndërmarrë të gjitha masat për të dhënë llogari për personat e pagjetur dhe duhet t’u japin llogari familjarëve të gjitha të dhënat që kanë për gjetjen e tyre. Serbia po shfajësohet dhe rehabilitohet nga Qeveria e Kosovës. Ju z.Hoti padrejtësisht keni vënë në tavolinë çështjen e të zhvendosurve e të pagjeturve në diskutim me serbët. Pra në një mënyrë keni barazuar viktimat me kriminelët potencial. Me 4 shtator nënshkruat një listë zotimeve për kthimin e të pagjeturve duke e barazuar kinse me të zhvendosurit nga Kosova. Po pra janë vendosur në të njëjtin paragraph. Çështjen e të pagjeturve e shndërruar jo në një obligim të Serbisë, por në një çështje që duhet marrë vesh e të bëni pazar”, tha ajo

Tutje Nagavci shtoi se asgjë s’mund të barazohet me çështjen e të pagjeturve dhe asgjë s’mund të krahasohet me zbardhjen e fatit të tyre.

“Ju mohuat shtetësinë e Kosovës kur pranuat të bëni pazar me këtë me 4 shtator, ku janë vendosur dhe barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit. Vi nga Gjakova, që është qyteti më i dëmtuar gjatë luftës. Akoma edhe sot nënat gjakova trokasin nga dera në derë në përpjekje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre”, shtoi ajo.

Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili shkurt tha se e dëgjoi gjithë fjalimin dhe se sipas tij është fjalimi më i ligë që ka dëgjuar ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës.

“Është ndër fjalimet më të liga që kam dëgjuar prej se jam deputet apo ministër këtu përpara juve”, tha Hoti.

Tutje nënkryetarja e Kuvendit deklaroi përsëri se është i ligë dhe i dëmshëm moment dhe vendimi kur Hoti ka bërë “Pazar” me çështjen e të pagjeturve duke e barazuar atë me të zhvendosurit.

“Është e ligë dhe e dëmshme se si ju e keni barazuar çështjen e të pagjeturve me të zhvendosurve në paragrafin e marrëveshjes së 4 shtatorit. Kjo është e ligë. Është mirë të dëgjoni familjarët e të pagjeturve kryeministër”, shtoi ajo.

***

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, si iniciuese e interpelancës së kryeministrit të Kosovës, për të diskutuar për të pagjeturit, tha se qeveria e ka dëmtuar procesin e dialogut. Ajo ka kërkuar që Serbisë t’i bëhen të qarta përgjegjësitë ndaj Kosovës lidhur me këtë çështje dhe nëse nuk i pranon mos të vazhdojë dialogu.

Duke u thirrur në zotimet e 4 shtatorit, ajo tha se me një paragraf të zhdukurit dhe të zhvendosurit barazohen, diçka që sipas saj nuk mund të ndodhw.

Bogujevci: T’i tregohen Serbisë përgjegjësitë ndaj Kosovës, nëse nuk pajtohet mos të ketë dialog

“Ne, Kosova, duhet të kemi ekip të ekspertëve, të draftojmë një dokument me kërkesa specifike dhe të përcaktojmë përgjegjësitë që i ka Serbia ndaj Kosovës. Të vendoset para tavolinës, dhe nëse Serbia nuk pajtohet atëherë nuk ka dialog. Kjo çështje do të marrë vite të tëra por duhet të udhëhiqet procesi drejtë dhe mirë. Nuk është për t’u mburrur zotëri Hoti kinse je i vetmi që ke vënë këtë temë në tavolinë, sinqerisht më mirë hiç, sesa në mënyrën si je duke e trajtuar çështjen e të zhdukurve në dialog”, tha ajo.

Ajo tha se është e papranueshme mënyra se si të pagjeturit po trajtohen në dialog.

Bogujevci: Barazia e të zhdukurve me të zhvendosurit e dëmton procesi ne dialogut

“A mund të më tregojë kryeministri se si definohen në konventat ndërkombëtare të zhdukurit me forcë, të pagjeturit, të zhvendosurit, dhe refugjatët, a e di ky këtë. A e ka ditur ndonjëri nga personat në delegacion ku është nënshkruar kjo, unë nuk e besoj, sepse po ta dinin nuk do të nënshkruanin këtë paragraf, kjo formë e trajtimit të të zhdukurve e dëmton procesin e të zhdukurve dhe kjo nuk është mënyra se si dialogohet. Kosova ka çdo avantazh për të trajtuar dinjitetshëm dhe për të këmbëngulur për çështjen e të zhdukurve karshi Serbisë. Dhe është e turpshme e papranueshme që të barazohet me Serbinë në dialog”, tha ajo.

Bogujevci ka paraqitur dy pika të rezolutës, për të cilën u kërkoi deputetëve përkrahje.

Rezoluta: Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet kushtëzohet apo varet nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në adresimin e çështjes së të pagjeturave në harmoni të plotë me standard dhe mekanizma ndërkombëtar. Kuvendi i i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranojë të bisedojë me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimi ne menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave që nuk janë gjetur luftës së fundit.

***

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e rregullt plenare në të cilën po zhvillohet interpelancë për çështjen e të pagjeturve.

Kryeministri Hoti para deputetëve tha se procesi i gjetjes së personave të humbur gjatë luftës në Kosovë nuk do ndalet deri në zbardhjen e fatit të të gjithëve që sot figurojnë të zhdukur

“Çështja e personave të zhdukur po trajtohet me përkushtim nga institucionet e Kosovës. Procesi për gjetjen e tyre do të vazhdojë deri tek i fundit. Gjetja e personave të humbur gjatë luftës ka edhe ngecjet e veta. Mungesa e informacioneve të besueshme ndërlidhet me mungesën e gatishmërisë së palës serbe. Deri vonë në këtë proces janë organizuar institucionet ndërkombëtare. Mbetjet mortore në IML ende nuk janë identifiku. Tani po marrim dhe po punojmë që t’i japim një zgjidhje të shpejtë që t’i ndajmë këto mbetje mortore, mirëpo ka mungesë informacionesh nga familjarët për të ofruar monstrat e tyre të gjakut”, tha Hoti.

Sipas kryeministrit, marrëveshja e Uashingtonit do ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjes të të pagjeturve.

“Nuk ka asnjë të keqe nga zotime e Uashingtonit. Besoj që të gjitha ato janë në interes të Kosovës. Gjithë këto vite është kërkuar me të drejtë që çështja e të pagjeturve të ndërkombëtarizohet, dhe krejt veprimet tona kanë qenë në funksion të këtyre kërkesave. Edhe çështja e të zhvendosurve brenda vendit kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Nëse do të ketë marrëveshje, gjithsesi do të jetë edhe çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve. Kjo çështje nuk duhet të politizohet. Me një marrëveshje si kjo e Uashingtonit çështja e të pagjeturve do të përshpejtohet. Gërmime po realizohen në Mitrovicë, në Syriganë, në regjionin e Rashkës dhe në lokacione tjera. Në Kosovë, deri në fund të këtij viti planifikohet të gërmohet në pesë lokacione. Siç e thash edhe më herët, me planin e arritur s’ka asnjë lloj kushtëzimi”, tha ai.

Kryeministri në fund tha se çështja në fjalë nuk duhet të përdoret për përballje politike, dhe se sipas tij ai është i gatshëm të flasë çdo herë kur i kërkohet.

“Sigurisht që e kam obligim dhe do jem përpara jush sa herë që kërkoni që të debatohet për çështje në veprimtarinë e qeverisë, por po kërkoj që të mos përdoret kjo temë për përballje politike. Unë ju njoftoj se kam dhënë informata të detajuara në mbledhjen e komisionit përkatës, e cila me kërkesën time është mbajtur me dyer të mbyllura”, tha ai.