Dëshmi shokuese: ‘Tigrat’ e Arkanit ekzistojnë edhe sot, ata veprojnë në Serbi

Garda Serbe Vullnetare paraushtarak e kriminelit famëkeq Zheljko Razhnjatoviq – Arkan, e cila në vitet nëntëdhjeta mori pjesë në luftimet në fushëbetejat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, ekziston edhe sot. Kështu thotë ish udhëheqësi i Njësisë Speciale “Beretat e Kuqe”, Milorad Ulemek – Legija, i dënuar me 40 vjet burg. Por, Legija nuk tregon se me çfarë aktivitetesh merret tani ky grup paramilitar.

Ish komandanti i njësisë së operacioneve speciale serbe Beretat e Kuqe, Milorad Ulemek, i njohur si Legija, i cili u dënua me 40 vjet burgim për rolin e tij në vrasjen e ish-Kryeministrit serb Zoran Gjinigjiq, këto detaje i ka zbuluar në librin e tij të ri “Në folenë e tigrit”, në të cilën ai e përshkroi kohën e kaluar në Gardën Arkanit, e cila, siç thotë ai ishte pjesë e Ushtrisë Popullore të Jugosllave (APJ).

Siç shkruan gazeta serbe “Kurir”, Legija thekson se janë qesharake pretendimet se “Tigrat”, siç quheshin anëtarë të Gardës, shkuan në luftë për të plaçkitur frigoriferë, stufa e video-rekorderë.

Politikani rus Vladimir Zhirinovsky (djathtas) dhe Arkani (majtas) duke inspektuar njësinë e Arkanit në Erdut, Kroaci, shkurt 1994.

Aktakuzat e ngritura nga Gjykata e Hagës kanë thënë se Arkani dhe luftëtarët e tij ishin aktivë në disa vende në Kroaci dhe Bosnje gjatë luftërave nga viti 1991 deri në 1995. Sipas aktakuzës në çështjen kundër Stanisiçit dhe Simatoviçit, në periudhën nga shtatori deri në dhjetor 1991, forcat serbe në Kroaci, përfshirë Gardën Vullnetare Serbe të Arkanit, vranë 61 njerëz, kryesisht në fshatin Dalj.

Aktakuza pretendon se Arkani ishte pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale, së bashku me drejtuesit më të shquar serbë në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi, qëllimi i së cilës ishte “largimi me forcë dhe i përhershëm i shumicës së jo-serbëve, kryesisht kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve të Bosnjës, nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Aktakuza gjithashtu e vendos Arkanin në Zvornik në Bosnje në prill 1992, kur gjatë sulmit ndaj qytetit, “forcat serbe, sidomos Zeljko Raznatoviç dhe anëtarët e Gardër Vullnetare Serbe të Arkanit” vranë afërsisht 20 civilë jo-serbë.

Krimet për të cilat u akuzua vetë Arkani ndodhën në Sanski Most në Bosnjë. Aktakuza ndaj Arkanit, e ngritur në 1997, vuri në dukje se gjatë dy ditëve në shtator 1995, Tigrat e tij vranë rreth 65 njerëz.

Në vendimin e ICTY për dënimin e ish-zyrtarëve serbë të Bosnjës Mico Stanisiç dhe Stojan Zupljanin, dhoma e gjykimit e shkallës së parë e ICTY përcaktoi disa fakte për ndoshta krimin më të njohur që kryen Tigrat, në Bijeljina në pranverën e vitit 1992.

Konflikti në qytet midis serbëve dhe boshnjakëve filloi më 31 mars 1992, kur arritën burrat e Arkanit.

“Rreth 3 prillit 1992, gjithsej 48 trupa, përfshirë trupa grash dhe fëmijësh, u mblodhën nëpër rrugët dhe shtëpitë e qytetit; 45 prej këtyre viktimave ishin jo-serbë dhe asnjë nuk kishte veshur uniforma. Shumica e të vdekurve ishin qëlluar në gjoks, gojë ose pjesën e pasme të kokës, disa në distancë të afërt”, thuhet në vendimin për Stanisiçin dhe Zupljanin.

Një nga viktimat që i mbijetoi përballjes së tij me Arkanin ishte Jusuf Trbiç, një gazetar vendas në Bijeljina. Burrat e Arkanit e kapën atë në fillim të prillit 1992 dhe gjatë disa orëve të ardhshme, gjatë natës deri në agim, ai u rrah dhe u torturua, ndonjëherë në prani edhe të vetë Arkanit.

“Ata e dinin se çfarë po bënin”, tha Trbic për BIRN në 2014. “Nuk kisha asnjë milimetër lëkurë të bardhë. Ishte e gjitha e zezë dhe blu.”

Shumica e detajeve për Arkanin dhe Tigrat e tij dolën gjatë gjyqit të Sllobodan Milloseviçit, kur dëshmoi një ish-punonjës administrativ i Gardës Vullnetare Serbe.

Dëshmitari i mbrojtur, i koduar me emrin B-129, foli për marrëdhëniet midis Gardës Vullnetare Serbe dhe Sigurimit të Shtetit Serb.

“Në seli kishte një rregull që kur një person nga Sigurimi i Shtetit do të vinte aty, ai nuk duhet të priste jashtë, por do të lejohej të hynte menjëherë në seli dhe do të shoqërohej në zyrën e komandantit”, tha dëshmitari B-129.

Dëshmitari sqaroi se Tigrat ishin të përfshirë në luftime në Treskavica në Bosnje në vitin 1994 dhe gjithashtu në Velika Kladusa, ku ata po ndihmonin liderin lokal boshnjak, Fikret Abdiç.

“E di me siguri se në Treskavica dhe Velika Kladusa ata nuk kishin stemat e Gardës Vullnetare Serbe, sepse iu kërkua që më parë t’i linin ato sepse nuk u lejohej t’i përdornin. Kjo do të thotë se në Velika Kladusa ata kishin stemat që përdoreshin nga ushtria e Fikret Abdiç”, tha B-129 në ICTY.

B-129 gjithashtu sqaroi se Tigrat morën pjesë në një operacion në Banja Luka në Bosnjë në 1995, kur ata kryen krime në Sanski Most.

“Ky operacion filloi në shtator, në fillim të shtatorit 1995. Kur them ‘operacioni në Banja Luka’, e kam fjalën për në Sanski Most, Mrkonjic Grad, Kljuc dhe Prijedor. Në atë operacion morën pjesë rreth 200 Tigra dhe vetë Arkani ishte gjithashtu atje”, shpjegoi dëshmitari.