(Radio Evropa e Lirë) – Një dron i paidentifikuar dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore të Finlandës në Virolahti, afër kufirit me Rusinë, mëngjesin e 3 majit, tha Ministria finlandeze e Mbrojtjes.
Forcat Ajrore të Finlandës e pikasën dronin në orët e para të mëngjesit, u tha në njoftimin e Ministrisë.
“Modeli dhe origjina e dronit nuk janë identifikuar”, thanë autoritetet, duke shtuar se kjo fluturake nuk është më në hapësirën ajrore finlandeze, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti ishte duke u hetuar nga roja kufitare finlandeze, thuhet në njoftim, pa u dhënë detaje të tjera.
Finlanda ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se njësitë e mbrojtjes ajrore ushtarake kanë rrëzuar 334 dronë ukrainas gjatë natës në rreth 15 rajone, disa prej tyre afër Shën Petersburgut, rreth 150 kilometra nga Virolahti.
Në mars, Ukraina i kërkoi falje Helsinkit pasi dy dronë ukrainas u rrëzuan në jug të Finlandës, që me gjasë devijuan nga kursi për shkak të ndërhyrjes ruse.
Ndërkaq, në të kaluarën disa vende evropiane kanë raportuar për shkelje të dyshuara ruse të hapësirës së tyre ajrore.



