Filmi “Queenpins” ku luan Bebe Rexha është aktualisht në listën e 10 filmave më të shikuar në Netflix

Filmi “Queenpins”, ku artistja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha zë një rol kyç, ka arritur të pozicionohet në mesin e 10 filmave më të shikuar në Netflix për vitin 2024 deri më tash.

Bebe Rexha luan rolin e një specialiste të IT-së e cila ndihmon një grup grash në realizimin e një vjedhjeje kibernetike të ndërlikuar.

Suksesi i filmit në platformën e filmave është dukshëm impresionues, ku “Queenpins” mbajti vendin e shtatë në listën e filmave më të shikuar për më shumë se një javë.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

Statistikat e Netflix tregojnë se filmi ka arritur të tërheqë mbi 4.4 milionë shikime në vetëm një javë, duke e bërë të qartë interesin e madh të shikuesve ndaj kësaj komedie.

Historia e filmit është frymëzuar nga ngjarje të vërteta dhe ndjek skemat e një grupi grash në Phoenix të Arizonas, të cilat fillojnë një skemë të paligjshme të kuponëve që shkon deri në vlerën e miliona dollarëve.

Bebe Rexha në premierën e filmit “Queenpins” (Foto: Matt Baron/REX)

Ndërsa nuk janë dhënë detaje të thelluara për personazhin e Bebe Rexha, rëndësia e saj në film është theksuar nga fakti që artistja ka ndarë suksesin e filmit në rrjetet e saj sociale, duke i bërë fansat edhe më entuziastë për të parë performancën e saj.

Ky është roli i parë filmik që këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare ka marr në një film hollivudian. /Telegrafi/