Forumi Veror i Davosit 2026, një takim global në ballë të inovacionit ekonomik, i njohur gjithashtu edhe si Takimi i 17-të Vjetor i Kampionëve të Rinj i Forumit Ekonomik Botëror (FEB), do të mbahet nga 23 deri më 25 qershor në qytetin portual Dalian në provincën Liaoning të Kinës Verilindore.
Në kohën kur ekonomia globale gjendet përpara pasigurive në rritje, tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, forumi i këtij viti do të mbledhë mbi 1700 përfaqësues të biznesit, qeverive, organizatave shoqërore dhe qarqeve akademike, si dhe të kompanive në rritje të shpejtë, për t’u fokusuar në zgjidhje praktike për sfidat e reja të rritjes.
“FEB-i gjithmonë i ka bashkuar udhëheqësit e palëve të ndryshme për të përballuar sfidat kryesore që ndikojnë botën duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit,” tha Alois Zwinggi, presidenti i përkohshëm dhe drejtori ekzekutiv i FEB-it.
Forumi i këtij viti, me temën “Inovacioni në shkallë të gjerë”, do të shqyrtojë se si teknologjitë e reja mund të transformohen në përparime ekonomike dhe shoqërore.
Agjenda përqendrohet rreth pesë temave kryesore: tregtia në ndryshim, kapitulli i ardhshëm i Kinës, teknologjia në ekonominë reale, vendet e punës për brezin e ardhshëm dhe tranzicioni energjetik si burim i konkurrueshmërisë.
Gim Huay Neo, drejtorja menaxhuese e FEB-it, tha para forumit se përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale, robotikë, teknologjitë kuantike, bioprodhim e fusha të tjera të inovacionit, po riformësojnë sektorët e ndryshëm, duke përfshirë prodhimin, transportin, shëndetësinë, median etj.
“Teknologjia i ka ndryshuar rrënjësisht prodhimin, konsumin, punën dhe mënyrën tonë të jetesës, duke i shtyrë pandërprerë kufijtë që dikur konsideroheshin fantastiko-shkencorë”, tha ajo, duke vënë në dukje se arritja e inovacionit në shkallë të gjerë kërkon përpjekje të bashkërenduara në hartimin e politikave, ndërtimin e infrastrukturës, përgatitjen e talenteve dhe bashkëpunimin ndërsektorial
Ky forum do të shfaqë përdorimin praktik të inteligjencës artificiale nëpërmjet MINDS, një program që identifikon dhe paraqet zgjidhjet e inteligjencës artificiale.
Përveç teknologjisë, forumi do të diskutojë mbi kultivimin e frymës së sipërmarrjes dhe aftësive për të ardhmen, përshpejtimin e tranzicionit energjetik global dhe rivendosjen e ekosistemit duke ruajtur konkurrueshmërinë ekonomike.
Forumi ka publikuar gjithashtu Treguesin e Tranzicionit të Energjisë 2026. Kjo është hera e 17-të që publikohet ky tregues, i cili vlerëson gatishmërinë e vendeve të ndryshme për tranzicionin energjetik duke vlerësuar faktorë të tillë si politikat, standardet, infrastruktura, fondet, talentet dhe teknologjia.


