Filloi viti i ri akademik! Janevska: Presim që vitin e ardhshëm të rritet shujta studentore

Filloi viti i ri akademik. Prej sot të gjithë universitetet hapën dyert për studentët e rinj, përcjell TV21. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se janë të përkushtuar në cilësinë e arsimit, teksa shtoi se në periudhën e fundit kanë miratuar një sërë masash për një standard më të mirë studentor. Ministrja tha se pret që vitin e ardhshëm të ketë rritje shujta studentore.

“Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”, sot hapi dyert për një brez të ri studentësh, për të gjithë ju që besoni se këtu do të merrni njohuri, aftësi dhe mbështetje për t’u rritur në liderë që do ta udhëheqin Maqedoninë në shekullin 21. Ju jeni në vendin e duhur, në vendin tuaj, në universitetin më të vjetër, ku profesorët kanë përgjigje për të gjitha pyetjet tuaja dhe janë të gatshëm ta drejtojnë entuziazmin tuaj drejt disiplinës dhe përgjegjësisë për të ndërtuar kapacitete për jetën në një botë që ndryshon me shpejtësi”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.