LSDM sonte në mbledhje të Këshillit Ekzekutiv duhet të marrë vendim për kandidatët për kryetarë të komunave të cilët mbetën, mes tjerash edhe për Koçanin, për zgjedhjet lokale 2025.
Për atë nëse do të kenë kandidat të tyre ose do të mbështesin ndonjë nga kandidatët e pavarur për kryetar në këtë qytet, lideri i partisë Venko Filipçe në konferencë për media tha se për këtë, si dhe për kandidatët e tjerë do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv, pas çka emrat e tyre do të kumtohen në publik.
Kryetari i LSDM-së, Filipçe në konferencë për media e akuzoi kryeministrin Hristian Mickoski se dje e ka pranuar se nuk do të intervenohet në çmimet e produkteve.
“Më vjen keq që dje kryeministri deklaroi se nuk do të intervenohet në çmimet e produkteve, duke përfshirë edhe produktet ushqimore bazë”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe duke shtuar se partia opozitare tashmë një kohë të gjatë e flet këtë.
Sipas tij, Qeveria nuk ka kurrfarë qëllimi që t’i mbrojë qytetarët, as të balancojë mes interesave të zinxhirëve të mëdhenj tregtarë dhe nevojave të popullit. Në praktikë, potencoi Filipçe, dje pushteti i ka porositur qytetarët se lihen në mëshirë të fatit, dhe se bëhet e qartë se ata janë shumë të tërhequr nga ndenja e fuqisë ose në tërësi e kanë humbur lidhjen me realitetin.
Filipçe tha se inflacioni ka “ulur” pagat. Lidhur me pretendimet e kryeministrit Hristijan Mickoski se “inflacioni po ngadalësohet ndjeshëm”, Filipçe tha se, sipas tij, kjo nuk është e vërtetë dhe se vendi ka inflacion ndër më të lartët në Evropë, ndërsa inflacioni mesatar në BE është 2,1%, në vendin tonë në gusht ishte 4,4%, dy herë më i lartë. Vetëm në gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shtoi ai, çmimet e ushqimeve u rritën me 6,7%, dhe frutat dhe perimet me mbi 11%. Kjo qeveri, sipas Filipçes, është e vetmja në rajon që reagon ndaj rritjeve të tilla të çmimeve duke i injoruar ato, duke theksuar se në Shqipëri dhe Serbi, një rritje e pagës minimale është planifikuar tashmë për vitin e ardhshëm.
Ai përsëri i bëri thirrje Qeverisë të ndalojë, siç tha, “me injorimin dhe menjëherë të miratojë një varg masash konkrete dhe efikase ekonomike për ndihmë të qytetarëve” duke akuzuar se është rrënuar miti për aftësi ekonomike të VMRO-DPMNE-së.
Duke folur për deklaratën e kryeministrit Mickoski se ndotja nuk është e lartë pas zjarreve në Vardarishte dhe në deponinë Drislla, Filipçe tha se ajo është “skandaloze”. “Njerëzit e dinë si merrnin frymë dje, disa ditë. Instalonin pastrues ajri. Thjeshtë pushteti nuk bën asgjë, tha Filipçe.