Filipçe paralajmëroi ofensivë vaksinimi

Në vendin tonë dje kanë arritur 100620 doza të vaksinës “Pfizer” që Qeveria i ka furnizuar përmes mekanizmit Kovaks. Sipas ministrit Filipçe, vaksinimi në ditët e ardhshme do të realizohet me ritëm të shpejtuar që do të thotë se do të vaksinohen të gjithë qytetarët që janë paraqitur për vaksinim.

“Plani është që deri më 15 korrik të vaksinohen të gjithë që janë paraqitur. Nuk do të ketë dallime në indikacionet në lidhje me vaksinat Pfizer apo Sinovak, të gjithë do të distribuohen, me atë që vaksinat e Pfizer-it do të distribuohen në qendrat e mëdha për imunizim ku ka frigoriferë të tillë, ndërsa në vend ka 8 qendra të tilla, ndërsa vaksinat Sinovak edhe atje edhe në shtëpitë më të vogla shëndetësore për shkak se më lehtë jepen”, deklaroi Filipçe.

Filipçe theksoi se lista është reviduar, që do të thotë se pa marrë parasysh se kur janë paraqitur qytetarët, duke filluar nga e hëna të gjithë do të marrin termin në periudhë të dy javëve. Shtoi se tani për tani vaksinimi nuk do të jetë i obligueshëm.

“Do e intensifikojmë dhe fushatën që është shumë e rëndësishme, e përgatisim edhe sistemin për vaksinim në terren, diku nga i 15 do të fillojë, kështu që të gjithë qytetarët do të marrin termin”, shtoi ai.

Ministri paralajmëroi se nesër me dy avionë me nga 250 mijë doza nga Kina do të arrijnë vaksinat Sinovak.
Në pikat për vaksinim në vend deri më dje janë vaksinuar gjithsej 289.305 qytetarë. Përmes ueb platformës vakcinacija.mk deri më tani janë paraqitur 460.702 qytetarë për vaksinim, informojnë nga Ministria e shëndetësisë. Në vend, janë aplikuar gjithsej 501 506 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 212.201 qytetarë./TV21