Filipçe: Nuk ka nevojë për restriksione, situata epidemiologjike në përgjithësi është stabile

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe e vlerësoi situatën epidemiologjike si në përgjithësi stabile dhe se ka gjithnjë e më pak pacientë në repartet spitalore, prandaj nuk ka nevojë për restriksione.

“Tani për tani nuk ka paralajmërim për restriksione të reja shtesë, absolutisht nuk ka kurrfarë indikacioni, ose, çfarë do parametri të tregojë se situata po keqësohet – dhe lidhur me numrin e pacientëve të rinj të diagnostifikuar dhe lidhur me numrin e pacitnëve të cilët duhet të hospitalizohen. Ai numër është konstant një periudhë të gjatë kohore. Diku rreth 10 për qind e numrit të përgjithshëm të pacientëve aktivë të diagnostifikuar janë zhvendosur në spitalet dhe ashtu mbetet ky trend, që do të thotë se po menaxhohet mirë. Ashtu që, në përgjithësi mendoj se situata është stabile, situata epidemiologjike është stabile, situatën epidemiologjike e kemi vazhdimisht nën kontroll, duke e pasur parasysh testimin masiv të cilin e bëjmë dhe ashtu do të vazhdojmë edhe më tej”, deklaroi Filipçe për Televizionin Kanal 5.

Ai theksoi se nuk janë planifikuar restriksione në punën e operatorëve ekonomikë, e as restriksion në lëvizje në cilën do pjesë të shtetit, duke theksuar se ekzistojnë protokolle dhe ato duhet të respektohen, ndërsa nëse nuk respektohen duhet të sanksionohen shkelsit.

“Lidhur me shkeljen e protokolleve – ka protokolle për punë tekstualisht për të gjithë operatorët ekonomikë dhe tani më kanë vepruar inspektoratet kompetente, siç janë Inspektorati shtetëror i punës dhe Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor, ndërsa ku kishte nevojë edhe Inspektorati i punës dhe me këtë janë ndërmarrë masa përkatëse. Nuk mund të vendosen restriksione për shkak të mosrespektimit të dikujt të këtyre masave dhe protokolleve aktuale. Ashtu që nuk ka asnjë indikacion se masat do të ashpërsohen. Sërish apeloj të respektohen masat. Të gjithë operatorët ekonomikë i kanë marrë protokollet dhe nuk ka problem askund ku ato respektohen”, shtoi Filipçe.