Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe tha se nuk do të lejojë përçarje brenda partisë, duke akuzuar ish-kryetarin e Shkup, Petre Shilegov, se po vepron në interes të VMRO-DPMNE.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Filipçe theksoi se thelbi i LSDM-së është ndërtimi i konsensusit dhe hartimi i politikave mbi bazën e mendimeve të shumta, por shtoi se, sipas tij, pushteti po përpiqet ta përçajë partinë nga brenda.
“Unë dhe udhëheqja po punojmë për këtë më shumë se një vit e gjysmë. Kështu ka qenë dhe kështu do të vazhdojë. Është thelbësore të dëgjohet secili, por nuk do të lejojmë që dikush të punojë për VMRO-DPMNE-në”, deklaroi ai.
Filipçe theksoi se dyert e LSDM-së mbeten të hapura për të gjithë, por jo për ata që veprojnë me qëllime të këqija. Ai kritikoi gjithashtu pushtetin, duke thënë se qytetarët e kanë kuptuar mungesën e kapacitetit dhe vizionit për drejtimin e shtetit.
Duke folur për perspektivën evropiane, ai paralajmëroi se rrethanat për anëtarësim në Bashkimin Evropian po ndryshojnë shpejt dhe se vendi rrezikon të mbetet i izoluar nëse nuk ecën përpara me reformat.




