Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, kërkoi sot që kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, t’u kërkojë falje qytetarëve për, siç tha ai, pesë vjet përhapje të lajmeve të rreme lidhur me furnizimin e spitaleve modulare. Kjo kërkesë pason vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) për mbylljen e lëndës, me konstatimin se nuk ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe as dëm ndaj Buxhetit.
Filipçe theksoi se ky vendim konfirmon punën e tij të pakorruptuar në interes të qytetarëve dhe iu referua fushatës shumëvjeçare të mbushur me gënjeshtra, ofendime dhe kualifikime të rënda drejtuar ndaj tij.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi si skandaloze vendimmarrjen e Prokurorisë së udhëhequr nga Islam Abazi. Ai nënjëzoi se në zjarrin tragjik në spitalin modular të Tetovës u dogjën të gjallë 14 persona dhe shtoi se ky vendim nuk paraqet amnisti përfundimtare politike, pasi procesi mund të rihapet nëse shfaqen detaje të reja.
Hetimi i PTHP NKOK-ut, i cili filloi në shtator të vitit 2021, analizoi procedurat e furnizimeve publike për 19 spitalet modulare të realizuara në vitin 2020. Pas shqyrtimit të dokumentacionit të siguruar nga disa institucione dhe ministri, Prokuroria doli në përfundim se nuk ka bazë dyshimi për vepër penale dhe e mbylli lëndën.



