Filipçe: Deri në fund të vitit boshllëku buxhetor do të jetë 1.4 miliardë euro

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp paraqiti të dhëna për gjendjen e buxhetit. Sipas shifrave statistikore që ai i prezantoi, buxhetit do t’i mungojnë 1.4 miliardë euro deri në fund të vitit 2025.

“Jemi vetëm 75 ditë larg fundit të vitit 2025, dhe korniza buxhetore, e cila përcaktohet nga të ardhurat dhe shpenzimet në buxhet, tregon një pamje shqetësuese: Domethënë, deri më sot, të ardhurat janë realizuar në 70.78% ose 256.5 miliardë denarë. Në të njëjtën kohë, shpenzimet janë në një nivel prej 72.82%, ose pothuajse 294 miliardë denarë. Kjo do të thotë se me këtë ritëm, i cili pritet, në fund të vitit do të ketë mungesë prej rreth 1.4 miliardë eurosh për të mbuluar të gjitha shpenzimet”.
Ky është një boshllëk i madh buxhetor. Kjo do të thotë se të gjitha këto para do të duhet të mbulohen me huamarrje, me barrë të reja për bizneset dhe qytetarët, ose me shkurtime në shërbimet më të rëndësishme publike. E pyes qeverinë, çfarë planifikon të bëjë dhe si do t’i mbulojë këto 1.4 miliardë euro?”, pyeti Filipçe.

Ai theksoi se situata ekonomike në vend është alarmante, prandaj ndien detyrë dhe shqetësim t’ua shpallë të vërtetën qytetarëve, në kontrast me mesazhet e “sukseseve” ekonomike për të cilat flet qeveria në tubime.

“Në një kohë kur kryeministri Mickoski flet për “sukseset” ekonomike nga tubimi në tubim, është detyra ime të flas për realitetin dhe t’i informoj qytetarët për situatën reale ekonomike. Në 15 muajt e fundit, ne vazhdimisht kemi dhënë alarmin se ekonomia dhe politikat ekonomike të kësaj qeverie janë shumë të gabuara, dhe zbatimi i projekteve është historikisht i dobët. Sot, ne e konfirmojmë atë që kemi thënë me tregues, fakte dhe shifra reale ekonomike. Këto të dhëna tregojnë një situatë alarmante me buxhetin, të ardhurat, investimet dhe zbatimin e investimeve kapitale, si tregues themelorë të situatës ekonomike në vend”, tha Filipçe në konferencën e sotme për shtyp.