Feti Abazi me Kasamin: “Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit dhe vendosjen e disperzimit të Zjarrfikësve, edhe në komunën e Bogovinës

Krerët e komunës së Bogovinës dhe Tetovës, Feti Abazi e Bilall Kasami, ditën e sotme janë takuar, duke zhvilluar kryesisht diskutime për thellimin e bashkëpunimit ndërkomunal, por edhe vendosjen e Njësitit Territorial Kundër Zjarrit, edhe në territorin e komunës së Bogovinës.

Postimi i plotë i Abazit, në faqen zyrtare:

“Është gjithmonë kënaqësi takimi me kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Sot zhvilluam një takim pune me kryetarin e Komunës së Tetovës, ku diskutuam për forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe për hapat konkretë drejt vendosjes së disperzimit të NJTKZ-së edhe në territorin e Komunës së Bogovinës.

Gjatë takimit theksuam rëndësinë e koordinimit ndërmjet komunave për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe për të mundësuar reagim më të shpejtë dhe më efikas në raste emergjente. Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe garantimit të një mbulimi më të mirë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së banorëve tanë.

Komuna e Bogovinës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Komunën e Tetovës dhe me komunat tjera fqinje, me synimin që të ndërtojmë një sistem më të organizuar, më funksional dhe më të përgatitur për t’u përballur me çdo situatë emergjente”, ka përfunduar Abazi.

Rreth këtij takimi, është prononcuar me shkrim edhe Bilall Kasami. I cili në facebook, ka deklaruar:

“Sot zhvillova një takim pune me kryetarin e Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, ku diskutuam për hapat e nevojshëm për një bashkëpunim ndërkomunal ku edhe në komunën e Bogovinës të vendosim disperzim të NJTKZ-së.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e koordinimit ndërmjet komunave për rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe për reagim më të shpejtë në raste emergjente. Kjo nismë synon të forcojë kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurojë mbulim më efikas për mbrojtjen e jetës dhe pronës së banorëve.

Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me komunat fqinje, me qëllim ndërtimin e një sistemi më funksional dhe më të përgatitur për t’u përballur me çdo situatë emergjente”, ka përfunduar, ai.