Fetai: Identifikuam prioritetet që garantojnë ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Likovës

Zëvëndëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu si dhe kandidatin për kryetar komune të Likovës Nexhmedin Sadiku, bashkëpunëtorë e aktivistë realizuan vizitë në Shtëpinë e shëndetit në Likovë.

Atje janë pritur nga drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Evzi Isufi.

Kjo vizitë, sipas Fetait ka për qëllim identifikimin dhe avancimin e prioriteteve që do të garantojnë ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Likovës.

Një ndër to është ndryshimi i statutit të ISHP-së që mundëson shërbime specialistike, riorganizim i sistematizimit, me qëllim të punësimeve të reja dhe rritjes së efikasitetit, hapja e urgjencës stomatologjike, një kërkesë e kahmotshme e banorëve të Likovës, aktivizimi i shërbimit të mjekut rural, për vizita të rregullta në fshatrat e Malësisë, investime infrastrukturore për renovimin e hapësirave ku realizohen shërbimet mjekësore etj”.

“Si Qeveri mbetemi të përkushtuar që përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet shëndetësore dhe vetëqeverisjen lokale të sigurojmë kushte më cilësore shëndetësore për çdo qytetar të komunës së Likovës”, shkruan Fetai në rrjetet sociale.