Festimet e Vitit të Ri, mjekët rekomandojnë kujdes me alkoolin

Festimet e natës së vitit të ri kanë mobilizuar institucionet e shtetit. Shërbimet e Ndihmës së Shpejtë do të kujdestarojnë në gjithë kryeqytetin, ndërsa vetëm në Qendër të Shkupit do të jenë tre ekipe kujdestare të shpërndara të cilat do të intervenojnë në rast të incidenteve. Mjekët rekomandojnë për kujdes me konsumimin e alkoolit.

Ekipet mjekësore do të jenë të ndara në më shumë pika, si në Karposh, në poliklinikën Jane Sandanski, në Çair, në Çento, edhe në Draçevë. Kemi edhe poliklinikat kujdestare që punojnë gjatë festave dhe të dielave që do punojnë gjithë kohës si dhe gjatë 1 janarit ku orari i tyre do të përfundojë më 2 janar në mëngjes. Marrë parasysh se pritet që numri i qytetarëve që do dalin të presin vitin e ri në Qendër do jetë i madh, ne do të kemi 3 ekipe mjekësore të cilat do jenë të stacionuara në Qendër. Një ekip do jetë e vendosur prapa skenës nga ora 8.00 deri në përfundimin e ngjarjes, ndërsa dy ekipet tjera, njëra te Porta Maqedonia dhe tjetra te kafe Trend nga ora 22.30 deri në orën 00.30- deklaroi Milica Buballan, Shtëpia e Shëndetit Shkup – Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë.

Brigada e Zjarrfikësve Shkup do të ketë dy vetura të stcionuara në sheshin e kryeqytetit të cilat do jenë të gatshme për intervenim në rast të regjistrimit të ndonjë incidenti.

Apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm me përdorimin e mjeteve piroteknike me të cilat do ta shënojnë ardhjen e vitit të ri. E dimë se kemi mjete piroteknike të dyshimta, pa udhëzime për përdorim dhe që ndizen lehtë dhe mund të shkaktojnë dëm të madh material prandaj apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të këtyre mjeteve- tha Vlladimir Simonovski, Shef i Brigadës së Zjarrfikësve – Shkup

Policia rekomandon që qytetarët të mos festojnë me armë dhe mjete të tjera të cilat janë të rrezikshme për qytetarët dhe që mund të shkaktojnë incidente të përmasave të mëdha.

Apelojmë deri të qytetarët që të jemi të vetëdijshëm për të gjithë rreziqet që na kanosen të festojmë, por jo me mjete piroteknike, jo me armë dhe të mos konsumohet alkool nëse jemi vozitës, dmth të gjithë së bashku të kontribojmë të kemi një festë por pa pasoja- pohoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Përpos Shkupit dhe Ohrit, në shumicën e qyteteve tjera nuk ka organizime për pritjen e Vitit të Ri në shesh.