Festat njëra pas tjetrës kanë futur administratën në kolaps. Festa shtetërore e Shën Kirilit dhe Metodit sot, të mërkurën festa fetare islame Kurban Bajrami dhe të premten festa fetare ortodokse Dita e shpirtit të Shenjtë, kanë krijuar një javë pothuajse tërësisht jo pune për shumë institucione.
Në këtë situatë gjatë fundjavës së zgjatur që po e lëmë pas shumë qytetarë të vendit ua kanë mësyrë pikave kufitare për të shfrytëzuar ditët e lira jashtë vendit. Përmes pikave kufitare Tabanoc, Bogorodicë, Bllacë e Dojran, rreth 62 mijë qytetarë kanë dalë nga shteti. Ndërsa po aq, apo 60 mijë kanë hyrë në shtet nga mesdita e së shtunës deri më sot.
Pika kufitare me Serbinë kishte qarkullimin më të madh.
“Në pikën kufitare Tabanoc, nga data 23.05.2026 ora 12:00 deri më 25.05.2026 ora 12:00, hyrje në shtet kanë realizuar 11.880 shtetas të Maqedonisë, ndërsa dalje nga shteti kanë realizuar 11.459. Sa i përket shtetasve të huaj, në të njëjtën periudhë hyrje në vend kanë realizuar 16.636 persona, ndërsa nga shteti kanë dalë 13.326 persona.” thonë nga MPB.
E dyta në listë për nga fluksi është pika kufitare me Kosovën, ndërsa fluks më i ulët është regjistruar në pikat kufitare Bogorodicë dhe Dojran.
“Në pikën kufitare Bllacë, nga data 23.05.2026 ora 12:00 deri më 25.05.2026 ora 12:00, hyrje në shtet kanë realizuar 5.327 shtetas të vendit, ndërsa dalje nga shteti kanë realizuar 9.757 persona. Sa i përket shtetasve të huaj, në të njëjtën periudhë hyrje në vend kanë realizuar 12.978 persona, ndërsa nga shteti kanë dalë 9.757 persona.”- informojnë më tej nga MPB
Në vitin 2026 në Maqedoninë e Veriut qytetarët kanë 7 deri në 10 fundjava të zgjatura, varësisht nga përkatësia etnike apo fetare. 7 festa shtetërore, janë ose të premten ose të hënën dhe lidhen me fundjavën, ose janë të dielën dhe sipas ligjit, ditët e jopunës transferohen të hënën. Maqedonia e Veriut është lider në rajon, sa i përket numrit të festave. Shqipëria ka 15 ditë feste, Kosova 11, ndërsa Maqedonia e Veriut i kalon të dyja shtetet me diferencë të madhe edhe atë 27 ditë./Alsat.mk.



