1. Një shtet që nuk ua njeh gjuhën bashkëqytetarëve të vet autoktonë, që përbëjnë mbi 40% të popullsisë, nuk është thjesht i padrejtë , është i paqëndrueshëm në vetë themelin e tij. Ai është një konstrukcion i brishtë, me legjitimitet të cunguar, si në planin moral, ashtu edhe në atë politik. Aq më tepër kur ky konstrukcion, i quajtur Maqedonia e Veriut, rrethohet nga dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, që përfaqësojnë një realitet të pakontestueshëm etnik prej miliona shqiptarësh, mohimi i gjuhës nuk është më thjesht shkelje e të drejtave, por është refuzim i vetë realitetit. Dhe shtete që mohojnë realitetin nuk i mbijetojnë historisë. Të tolerosh një gjendje të tillë nuk është kompromis, është bashkëfajësi në padrejtësi. Është aparteid. Është gjenocid gjuhësor – “linguicide”. Është përmbysje e çdo norme juridike, politike dhe njerëzore. Sepse gjuha nuk është privilegj, është e drejtë natyrore.
2. Por këtu lind pyetja themelore, e pashmangshmja: pse jemi në këtë gjendje, si u katandisëm në këtë pikë? Përgjigjja nuk qëndron vetëm te strukturat shtetërore apo te elitat politike maqedonase me mendësi arkaike, por sidomos te elitat tona politike. Çfarë bënë ato pas vitit 2001? Çfarë prodhoi realisht Marrëveshja e Ohrit? Sepse në asnjë vend serioz nuk luftohet për të qenë i dyti. Politika është art i barazisë reale ose i epërsisë strategjike, kurrë i nënshtrimit të vetëdijshëm. Vetëm tek ne kjo është shndërruar në një doktrinë të heshtur të inferioritetit të institucionalizuar.
3. Bilanci i dy dekadave na vë përballë një të vërtetë të pamëshirshme, brutale. Këto elita nuk e kanë ndier padrejtësinë që ka rënduar mbi qytetarin. Nuk kanë vuajtur, nuk janë burgosur, nuk janë shtypur. Përkundrazi, kanë qeverisur, kanë përfituar, kanë grumbulluar pushtet dhe pasuri. Në vend që ta çmontonin sistemin e padrejtësisë, u bënë pjesë organike e tij, u kthyhen në aksionarë të privilegjuar. Ndërkohë, barra reale e padrejtësisë ka rënë mbi qytetarin. Ai ka vuajtur, ai është shtypur, atij i është mbyllur goja. Dhe kjo çon në një përfundim të hidhur. Barazia nuk dështoi, u tradhtua. U shndërrua në monedhë këmbimi për pushtet, poste, privilegje dhe pasuri.
4. Kur përfaqësuesit e një populli bëhen pjesë e problemit, padrejtësia nuk është më vetëm sistemike, ajo institucionalizohet. Dhe në atë pikë, beteja nuk zhvillohet më vetëm kundër shtetit, por edhe kundër “vetvetes”. Sepse rreziku më i madh nuk është ai që të mohon të drejtat, por ai që i negocion dhe i shet ato.
5. Sot, me një ironi që kufizohet me cinizmin, pikërisht kjo elite, bashkautore e kësaj gjendjeje, del dhe përpiqet të delegjitimojë çdo nismë të pastër studentore e qytetare. Jo nga parimi, por nga humbja e privilegjeve. Synimi i tyre është i qartë: rikthimi në pushtet për të rifituar privilegjet. Prandaj çdo nismë, çdo lëvizje, çdo kauzë duhet t’i mbajë larg këta matrapazë. Njëzet vite janë shumë, janë vite të vjedhura të një brezi. Me ta duhet të merret vetëm historia e turpit dhe drejtësia. Jo rinia. Jo e ardhmja.
P.S. As Shqipëria dhe as Kosova nuk janë pa përgjegjësi. Për vite me radhë nuk kanë mbështetur kauza, por individë, nuk mbështetën parimet por klientelat, nuk ishin me të drejtën por me komoditetin politik, mbyllën sytë para së vërtetës dhe u bënë mbështetës të zëshëm të “elitave” dhe mashtrimit.
*Status facebook’u i z.Bekim Fazliu, përfaqësues i lartë i Lëvizjes Arbëria



