Fatura të larta edhe pse s’kanë qenë në shtëpi! Mërgimtarët ankohen te AP

Pas publikimit të lajmit për fatura paushalle të EVN-së të mërgimtarit të Kërçovës, në adresë të TV21 janë paraqitur edhe disa ankesa tjera të llojit të njëjtë, kryesisht nga mërgimtarë.
Mërgimtari pohon se faturat i paguan nëpërmjet bankës. Sipas tij për 3 muajt e fundit kur askush nuk ka qëndruar në shtëpi, ka paguar fatura të larta.

Ankesa janë drejtuar edhe në zyrën e Avokatit të Popullit thotë zv/avokati i popullit Ylber Rufati.

“Nga ana e shumë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kemi shumë parashtresa që i drejtohen EVN-së dhe çmimeve të larta, por një faktorë tjetër që është paraqitur është se nga mërgimtarët kemi ankesa të shumta edhe pse përkohësisht jetojnë në shtete europiane dhe gjetiu ata disa muaj radhazi nuk jetojnë në Maqedoni, mirëpo u vijnë fatura me çmime të larta”, tha Ylber Rufati, zv. Avokat i Popullit në rajonin Perëndimorë.
Rufati thotë se në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti, ankesat drejt EVN-së janë rritur dukshëm, si në nivel shtetëror, ashtu edhe në nivel rajonal.

“Në nivel shteti deri më tani për këtë gjysmëvjetor 174 parashtresa, kurse pjesa veriperëndimore ku unë e drejtoj këtë pjesë të RMV kemi përafërsisht 10 deri në 15, por këto janë parashtresa të cilat janë ngritur, por ka edhe 10 deri 15 të tjera të cilat i kemi zgjidhur, sepse ka pasur problem më të vogla”, tha Rufati.

Nga EVN ditë më parë na thanë se faturat e supozuara vijnë për disa arsye, por që sipas tyre ka zgjidhje. Ata thanë se në qoftë se orëmatësi nuk është lexuar, në ç ’rast faturohet vlerë e supozuar si mesatare e konsumit gjatë 12 muajve të fundit, konsumatori mund të paraqesë gjendjen e konsumit përmes ueb-faqes evnonline.mk, përmes e-emailit, telefonit dhe në zyrat e pranimit të Qendrave Energo të Konsumatorëve dhe kështu shërbimet e punës do t’i kryejnë korrigjimet përkatëse.

Ndryshe mësojmë se Avokati i popullit ka ngritur një udhëzim parashtresë dhe ka bërë udhëzim ndaj komisionit rregullatorë energjetik për ankesat e shumta nga ana e qytetarëve të Maqedonisë drejtuar EVN-së.